Vaksinën anti-Covid-19 gazetarët dhe punonjësit medialë do ta marrin në fazën e dytë

TË FUNDIT

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sot realizoi takim me Mlladen Çadikovskin, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Dragan Sekullovskin drejtorin ekzekutiv dhe Tamara Gërnçarovskan dhe Pavlle Bellovskin anëtarë të Bordit Ekzekutiv të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Medialë (SPGPM), informuan nga MSH-ja.

Në takim është biseduar për rëndësinë që gazetarët të jenë pjesë e grupeve me prioritet për vaksinim kundër kovid-19 për shkak të natyrës së punës së tyre dhe rrezikut të lartë të ekspozimit ndaj këtij virusi.

Ministri Filipçe në takim informoi se sipas Planit Kombëtar për Vaksinim për Kovid-19, gazetarët dhe punonjësit medialë tashmë janë përfshirë në fazën e dytë të imunizimit dhe bëjnë pjesë në kategorinë e qytetarëve nga institucione vitale për funksionimin e shtetit, që domethënë se gazetarët dhe punonjësit medialë do të vaksinohen menjëherë pas përfundimit të vaksinimit të grupeve të cilat janë paraparë në fazën e parë, ndërsa për të cilat vaksinimi filloi dje dhe po vijon.

Vaksinimi për gazetarët dhe punonjësit medial nga transmetuesit, mediat e shtypura dhe ato on-llajn, në të gjithë territorin e shtetit, do të jetë vullnetarisht.

Përgatitja e listave të të interesuarve në media për vaksinim do të duhet të parashtrohen nga secila medie në veçanti, në bashkëpunim me SHGM-në, SPGPM-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Termini për vaksinim të të regjistruarve në media do të përcaktohet sipas protokolleve për imunizim të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa hollësitë rreth procedurës për regjistrim do të vijojnë gjatë dy javëve të ardhshme.