Vaksinat e Serbisë nuk erdhën! Bërnabiq: Pritet leja nga Fajzeri

TË FUNDIT

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në Click Plus sqaroi se pse nuk arritën 8000 vaksinat nga Serbia siç u paralajmërua paraprakisht. Bëhet fjalë për pengesa teknike. Serbia e rregullon dokumentacionin dhe është në kontakt me avokatët e kompanisë Fajzer me qëllim që ky proces të rregullohet nga aspekti juridik dhe të mos ketë dyshime se produkti i tyre po rishitet.

 “Nuk i morën dokumentet që i prisnin një kohë të gjatë nga kompania britanike Fajzer që të mund të eksportohen vaksinat nga Serbia. Kjo është politikë e secilës kompanie në këtë periudhë, kur bëhet fjalë për vaksinat. Insistojnë në marrëveshje të drejtpërdrejta dhe të besueshme me shtet. Të shmangen procedurat të cilat zakonisht i kanë kompanitë farmaceutike përmes kompanive lokale e veledrogerive”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq tha se gjithçka është e gatshme që Serbia t’ia japë donacionin e vaksinave Fajzer, Maqedonisë së Veriut. Por pritet leja e prodhuesit. Siç sqaroi Bërnabiq marrëveshja mes Serbisë dhe kompanisë amerikane parashikon se vaksinat nuk mund të importohen.

 “Kemi sasi të caktuara të vaksinave që janë të dedikuara si donacion për Maqedoninë e Veriut. Pritet vetëm dokumentacioni teknik, përkatësisht leja e Fajzerit se vaksinat e tyre mund të dhurohen”, theksoi Ana Bërnabiq – Kryeministre e Serbisë.

Maqedonia është duke i pritur 200 mijë vaksinat kineze. Kryeministri Zaev dje paralajmëroi se vaksinat e kompanisë Sinofarm duhet të arrijnë më 15 ose 16 shkurt, të hënën apo të martën. Kjo do të jetë dërgesa e parë më e madhe e dozave për imunizim të popullsisë kundër virusit Kovid 19. Paraprakisht kryeministri paralajmëroi ndihmë në vaksina përveç nga Serbia, edhe nga Bullgaria dhe Greqia. Megjithatë vaksinat  nuk arritën prej këtyre shteteve.