Vaksinat anti-Covid të porositura vetëm në letër, kurse lloji britanik po merr hov

TË FUNDIT

Dokumente shtesë, përcaktimi i neneve që dalin nga komunikimi i përditshëm dhe shkëmbimi i informacioneve, janë arsyet për vonesën e vaksinave “Fajzer” dhe “Sinofarm”. Edhe pse deri në fund të kësaj jave ishte dashur të mbërrinin vaksinat kineze, megjithatë ministri Filipçe thotë se me komunikimin do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, pas çka shpreson se do të ketë një datë të saktë – se kur vendi do t’i marrë vaksinat. Dje nënshkroi edhe marrëveshjen për furnizim të vaksinës ruse.

“Dje, Qeveria më autorizoi ta nënshkruaj marrëveshjen në një seancë të mbyllur. Marrëveshja është sipas parimit të njëjtë, si për marrëveshjet paraprake. Bëhet fjalë për sasi prej 100.000 dozave. Dhe tanimë në mënyrë intensive përmes përfaqësuesve të Ambasadës ruse, do të tentojmë të marrim informata më të sakta dhe më precize se kur mund t’i presim vaksinat në vendin tonë”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Dhe derisa jemi në pritje të vaksinave kundër Covid-19, rritet numri i të infektuarve me llojin britanik të virusit. Madje 70% e të infektuarve të rinj janë prekur me llojin britanik, i cili, siç dihet, transmetohet më lehtë. Numri i pacientëve të rinj, tani për tani nuk i rrezikon kapacitetet akomodimi.

“Në pjesën e masave, definitivisht është e mundur, por tani për tani jo. E shohim dhe e ndjekim situatën nëse kjo tendencë do të vazhdojë deri në atë nivel që të kemi mbingarkesë të kapaciteteve spitalore, por tani për tani nuk ka indikacion të tillë. Konsiderojmë se situatën e menaxhojmë mirë, por megjithatë nuk përjashtohet kjo mundësi”, shtoi më tej Filipçe.

Rreth 180.000 qytetarë kanë treguar interes për t’u vaksinuar. Ministri konsideron se interesimi në mes të punëtorëve shëndetësorë do të jetë sinjal pozitiv, kurse siç shton, janë duke përgatitur edhe fushata për t’i nxitur qytetarët që të vaksinohen.