Uragani “Ian”, një stuhi e fuqishme e kategorisë 4, ka sjellë erëra të forta dhe përmbytje në bregun e Floridës.
Uragani është pranë zbarkimit dhe erërat e tij fryjnë me një shpejtësi prej 250 km/orë.
Konkretisht, “Ian” është rrugës për në Tampa Bay, një nga rajonet më problematike të Shteteve të Bashkuara për përmbytjet.
“Ka mundësi që uragani të ngrihet në kategorinë 5. Por edhe kështu ai është një stuhi e fuqishme që do të ketë një impakt të fortë si në jug-perëndim të Floridës, ashtu edhe në zona të tjera të shtetit, kur t’i përshkojë ato me erëra të forta dhe shira. Ndaj këto dy ditë do të jenë ditë të vështira,” – deklaroi Ron DeStantis, guvernator i Floridës.
Agjencia amerikane për Mbikëqyrjen Atmosferike dhe Oqeanike ka publikuar disa pamje satelitore, që tregojnë progresin e uraganit në ditët e fundit.
Uragani u përplas në Kubë ditën e martë, duke shkaktuar dëme të shumta materiale dhe duke lënë pa energji elektrike shumicën e ishullit.
Presidenti i vendit, Migel Diaz Canel ka vizituar komunitetet e prekura nga dukuria natyrore në lokalitetin Pinar del Rio, duke premtuar ndihmë nga shteti.
