Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe të Kulturës së Kosovës (SBASHK) ditë më parë ka paralajmëruar grevë të përgjithshme nga 20 prilli, me pjesëmarrjen e mësimdhënësve të të gjitha niveleve, fillor, të mesëm dhe universitar. Por këta të fundit sot kanë bërë të ditur për ljami.net se nuk do të marrin pjesë në këtë grevë.
Bardh Bardhi, kryetar i Sindikatës së Universitetit dhe Shkencës së Kosovës (SUSHK), ka thënë për lajmi.net se mësimdhënësit universitarë nuk do të jenë pjesë e grevës së paralajmëruar më 20 prill nga ana e SBASHK-ut.
“Kryesia e SUSHK-ut ka vendosur që të prolongohet greva për një javë. Kjo nuk do të thotë se kemi hequr dorë nga kërkesat tona, por do të presim Rektoratin se si do të vendosë më 24 prill lidhur me Kontratën Kolektive”, ka thënë Bardhi.
Megjithëkëtë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se pjesë e grevës së përgjithshme në arsim do të jetë edhe Sindikata e Universitetit dhe e Shkencës së Kosovës.
SBASHK-kërkon të zbatohen këto pika të Kontratës Kolektive: shujta në shumën prej dy eurosh për çdo ditë mësimi, 0.5 për qind për çdo vit shërbimi, 70 për qind kompensim për çmimin e biletës së autobusit për arsimtarët udhëtarë dhe tri paga shtesë me rastin e pensionimit të mësimdhënësve.
