Ka përmirësim të shëndetit të nënës dhe fëmijës, sidomos në uljen e vdekshmërisë së foshnjave gjatë lindjes, kështu u tha në takimin e Komitetit Drejtues të Programit të Përbashkët të Agjencioneve (KDPPA).
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Gani Shabani, më këtë rast u shpreh i kënaqur më rezultatin preliminare të raportit 2014 të KDPPA-së. “Na gëzon fakti se ka trende të përmirësimit të shëndetit të nënës dhe fëmijës, sidomos në uljen e vdekshmërisë perinatale (vdekje e foshnjës gjatë lindjes), vdekshmëria ka shënuar rënie, dhe se aktivitet që janë zhvilluar në kuadër të Komitetit kanë vend meritor”, tha Shabani.
Përveç Gani Shabani i cili edhe drejtoi mbledhjen, pjesëmarrës ishte shefi i Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, Pierre Weber dhe udhëheqës e zyrtar të organizatave ndërkombëtare si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), UNICEF dhe UNFPA, të cilat janë anëtare të këtij komiteti.
Në takim u pajtuan se ka shumë sfida sa i përket shëndetit të nënës dhe fëmijës, por të cilat me një aktivitet të shtuar dhe bashkëpunim të vazhdueshëm të MSh-së dhe organizatave pjesëmarrëse në KDPPA, mund të kalohen.
Në takim, ndër të tjera u miratua Raporti për vitin 2014 dhe Plani i veprimit të Programit të Përbashkët të Agjencioneve (Partneriteti për Përmirësimin e Gruas dhe Fëmijës në Kosovë), për vitin 2015./ 21MEDIA
