Ulesh në kafene apo restorant dhe para se të porosisni dhe ta dëgjoni fjalën e mirënjohur “urdhëroni, çfarë do të porositni”, kamerieri do ta kërkojë pasaportën tuaj kovid. Vetëm pasi të dëshmoni se jeni vaksinuar, do të mund të pini kafe apo të hani. Në Francë tashmë ka filluar zbatimi i masës që në objektet hotelierike të hyjnë vetëm të vaksinuarit.
Por, pronarët e restoranteve thonë se në vend që të kontribuojnë që njerëzit të relaksohen dhe të kënaqen, ata duhet t’u kërkojnë kovid-pasaporta, transmeton TV21.
Përveç kafeneve, në Francë do të duhet të keni pasaportë edhe për të hyrë në metro, koncerte, teatro, gara sportive etj… Nga 16 gushti masë e tillë do të hyjë në fuqi edhe në vendin tonë.
“Nëse dëshironi të shkoni në kafene, vaksinohuni!”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Duke nisur nga 16 gushti, ambientet e mbyllura të objekteve hotelierike nuk guxojnë të punojnë aspak. Ndërsa certifikatë të vaksinës do të duhen edhe në ambiente të hapura nëse ka mbi 30 mysafirë. Hotelierët do të kenë për obligim të kenë mbajtës të rendit të cilët në hyrje do t’i kërkojnë certifikatat vaksinimi. Nëse lokali ka kapacitet deri në 30 persona, atëherë nuk është i detyruar të ketë person që do të mbajë rendin, por objekti do të kontrollohet nga Inspektorati. Kjo lë të kuptohet se edhe nëse doni të hyni në objekt me kapacitet më të vogël, sërish do të duhet të tregoni dokument për imunizim./TV21
