Ulën tensionet në mes dy Koreve

TË FUNDIT

Tre ditë më parë Koreja e Veriut vendosi në gjendje gatishmërie trupat ushtarake në kufirin me Korenë e Jugut, pas shkëmbimit të zjarrit të raportuar së fundmi në kufirin jeshil mes dy vendeve.

Ndërsa sot, Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë arritur në një marrëveshje për të ulur tensionet me njëra-tjetrën. Agjencia e lajmeve të Koresë së Jugut “Yonhap” ka bërë të ditur lajmin.

Gjatë ditës së shtunë ka nisur takimi midis liderëve të dy Koreve, i cili u zhvillua në sekret të plotë. Ndërsa ushtria ishte në gatishmëri maksimale nga të dyja anët. Asnjë media nuk u lejua të hyjë në zonën e demilitarizuar në kufi të vendeve për të marrë vesh të rejat më të fundit.

Tensioni në Gadishullin Korean është rritur shumë pas plagosjes së rëndë të dy ushtarëve koreanojugorë, nga disa mina të vendosura në atë që njihet si zona e gjelbërt. Koreja e Jugut ka akuzuar Korenë e Veriut për këtë sulm, dhe kjo e fundit nuk e ka pranuar një akuzë të tillë. Kjo solli edhe nisjen e transmetimeve prej tre orësh nëpërmjet blloqeve të altoparlantëve në kufi të cilat transmetojnë gjatë ditës buletine lajmesh, parashikimin e motit dhe muzikë vendase.