Lufta në Ukrainë do të vazhdojë të mbizotërojë sot në agjendën e ditës së dytë të Samitit treditor të liderëve të G-7 në Gjermani, ku në bisedime përmes video lidhjes i bashkohet edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.
Liderët e Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës arritën dje në resortin “Schloss Elmau” në Bavari për të rritur së bashku presionin ndaj Rusisë për të tërhequr trupat e saj nga Ukraina dhe për të zbutur efektet negative të luftës.
Liderët e G-7 e kanë përdorur tashmë Samitin si forum për të shpallur ndalesë ndaj importeve të arit rus dhe nismë të përbashkët infrastrukturore për të kundërshtuar ndikimin kinez në vendet me të ardhura mesatare. Bisedimet po zhvillohen gjithashtu për një kufizim të mundshëm të çmimeve të naftës.
Kryetarja e Komisionit të BE-së Ursula fon der Lajen dhe kryetari i Këshillit Sharll Mishell morën gjithashtu pjesë në diskutimet e së dielës.
Këtë vit, Gjermania kryeson me G-7 dhe kancelari Olaf Sholc do të presë liderët e demokracive jo pjesë e G-7, Argjentinë, Indi, Indonezinë, Senegal dhe Afrikën e Jugut, për të diskutuar krizën klimatike, shëndetin publik dhe sigurinë energjetike.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guteresh do t’i bashkohet grupit përmes lidhjes video për të trajtuar krizën ushqimore që rrjedh nga lufta ruse në Ukrainë, tashmë në muajin e pestë.
Zona e sigurisë rreth vendit të ngjarjes – ku Gjermania mbajti gjithashtu G-7 e saj të fundit në vitin 2015 – javën e kaluar e “vulosi” zonën për këdo pa leje.
Rreth 18.000 anëtarë të forcave të sigurisë janë përgjegjës për ruajtjen e rendit gjatë demonstratave të shumta të planifikuara.
