Ukraina refuzon propozimet e Kinës, Rusia i mirëpret

TË FUNDIT

Zyrtarët e lartë të BE-së dhe NATO-s dhe analistët për Kinën reaguan me skepticizëm dje ndaj dokumentit të shumëpritur të pozicionit të Pekinit për luftën ruso-ukrainase, megjithëse Moska i mirëpriti propozimet.

Dokumenti prej 12 pikash bëri thirrje për një armëpushim midis dy palëve.

Kina tha se konflikti dhe lufta “nuk i sjellin dobi askujt” dhe se të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë racionalë “dhe të parandalojnë që kriza të përkeqësohet më tej apo edhe të dalë jashtë kontrollit”.

Ukraina e hodhi poshtë planin duke thënë se nuk do të bënte asgjë përveç ngrirjes së status quo-së.

“Çdo plan paqeje që parashikon vetëm një armëpushim dhe, si rezultat, një vijë e re ndarëse dhe pushtimi i territoreve nuk ka të bëjë me paqen”, shkroi dje në Twitter këshilltari presidencial Mykhailo Podolyak.

”Është, më tepër, një ngrirje e luftës”, shkroi ai.

Ukraina vazhdon të insistojë në tërheqjen e trupave ruse dhe bën thirrje që kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht të vitit 1991 të pranohen.

Të tjerë, përfshirë diplomatë dhe ekspertë, reaguan me zhgënjim, pasi dokumenti 12-pikësh nuk zbuloi ndonjë nismë të re.

Gjithashtu u theksua se Kina nuk është neutrale dhe ende nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë deri më sot.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të një gazetari se pse Kina nuk i ka bërë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj nga Ukraina.

Ai tha se Kina mund të luante “një rol konstruktiv”, por nuk kishte mundësinë që Pekini të ndërmjetësonte konfliktin.

Më vonë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (KSB), përfaqësuesi i Kinës në OKB, Dai Bing i bëri sërish thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të rifillojnë negociatat “pa parakushte”.

“Ukraina nuk është një arenë për të luftuar midis vendeve të mëdha. Askush nuk duhet të përfitojë nga konflikti në kurriz të popullit të Ukrainës”, tha ai.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe sekretari i sërgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, reaguan me kujdes ndaj planit kinez.

Von der Leyen tha në Talin se plani duhej kuptuar në kontekstin se Kina tashmë kishte marrë anë.

”Kina dhe Rusia e kishin siguruar njëra-tjetrën për lidhjet e tyre të ngushta pak para fillimit të luftës”, tha ajo./ata