Ukraina me numër rekord të të vdekurve nga koronavirus, 141 për një ditë

TË FUNDIT

Në Ukrainë, gjatë ditës së djeshme janë konfirmuar 141 raste të vdekjes si pasojë e koronavirusit, që është numri më i lartë për një ditë, ndërsa janë regjistruar 6.719 raste të reja të infeksionit.

Ministri ukrainas i Shëndetësisë, Maksim Stepanov deklaroi se numri i personave të infektuar në bazë ditore mund të rritet në 8.000, madje edhe në 10.000 persona në javët e ardhshme.

Ukraina nga tetori regjistroi më shumë se 5.000 raste të koronavirusit në ditë, prandaj Qeveria i vazhdoi masat restriktive deri në fund të vitit 2020.

Stepanov paralajmëroi se sistemi shëndetësor nuk do të ketë resurse të mjaftueshme nëse numri i të infektuarve të rinj tejkalon 20.000 në ditë.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve është rritur në 315.826, ndërsa nga fillimi i pandemisë kanë vdekur 5.927 pacientë./MIA