Ukraina kërkon ngrirjen e borxhit për të shmangur falimentimin

TË FUNDIT

Ukraina u ka kërkuar kreditorëve të saj që të ngrijnë pagesat për dy vjet ndaj obligacioneve ndërkombëtare, në përpjekje për të përqendruar burimet e saj financiare në zmbrapsjen e Rusisë.

Kreditorët kanë afat deri më 9 gusht që të votojnë për këtë propozim. Ukraina tha se ky plan i saj është ushtrim i menaxhimit të obligimeve, duke lënë të kuptohet se përpjekjet e Kievit janë që investitorët t’i zhvlerësojnë ato.

Kreditorët veçse kanë thënë se ata do të pezullojnë pagesat që kanë në pronësi dhe u kanë bërë thirrje mbajtësve të obligacioneve që të pranojnë kërkesën e Ukrainës për ngrirje.

Grupi, përfshirë Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, tha se ata do të ofrojnë pezullim të koordinuar të borxhit nga 1 gushti deri në fund të vitit 2023 dhe ka mundësi që kjo periudhë të zgjatet edhe për një vit shtesë.

Sa borxh ka Ukraina?

Në fund të vitit 2020, sipas të dhënave të Bankës Botërore, Ukraina kishte 130 miliardë dollarë borxh të jashtëm.

Ukraina ka vendosur që pothuajse 20 miliardë dollarë bono ndërkombëtare të jenë subjekt i ngrirjes – 11 letra me vlerë në dollarë dhe dy në euro – me maturim nga viti 2022 deri më 2030. Ukraina gjithashtu ka një garanci që lidhet me rritjen e Bruto Prodhimit të Brendshëm. Kjo u krijua gjatë ristrukturimit të borxhit më 2015 si një ëmbëltues për kreditorët.

Kush janë kreditorët e bonove?

Bonot sovrane të Ukrainës mbahen nga menaxherë të mëdhenj të fondeve.

Të dhënat e EMAXX tregojnë se menaxheri më i madh në botë i aseteve, BlackRock, mban 1.2 miliard dollarë në fonde të ndryshme në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, kompania Alliance Bernstein ka 580 milionë dollarë, ndërkaq Eaton Vance dhe PIMCO që të dy kanë 300 milionë dollarë të obligacioneve.

BlackRock nuk ka pranuar që të deklarohet për këtë çështje, ndërkaq Eaton Vance dhe Alliance Bernstein nuk i janë përgjigjur pyetjeve të dërguara nga Reuters.

Në çfarë gjendje janë financat publike të Ukrainës?

Ekonomia e Ukrainës ka marrë një goditje të madhe nga pushtimi që Rusia nisi më 24 shkurt dhe parashikimet janë që ekonomia do të ketë një tkurrje nga 35 deri në 45 për qind gjatë vitit 2022./REL