Ujë ka, por po keqpërdoret! Tetova përballet me shtypje të ulët dhe harxhim të lartë

TË FUNDIT

Mungesë uji apo keqpërdorim i tij? Kjo është çështja më e diskutuar në Tetovë gjatë kësaj periudhe, derisa vazhdojnë temperaturat e larta, ndërsa për pushime ende janë një pjesë e mërgimtarëve.

Gjatë ditës, në terren u panë qytetarë që me ujë të pijshëm lajnë rrugët e trotuaret, si dhe vadisin hapësirat e gjelbra nëpër shtëpi.


Qytetarët e anketuar shprehen se furnizimi varet nga lagjja ku jetojnë. Ata e pranojnë se ka keqpërdorime të mëdha dhe kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve dhe inspektoratit komunal.
“Varet ku gjendesh, varet nga lagjja. Ditë për ditë i shohim se si lajnë oborret, trotuaret dhe ujisin bahçet”.

“Aty ku banoj unë, po, ka shumë njerëz që e keqpërdorin ujin. Normalisht që duhet të merren masa. Sidomos në pjesën e poshtme të Tetovës, uji shfrytëzohet për punë që nuk duhet – për kopshte. Mendoj se komuna duhet të veprojë”.

“Ka raste ku shihet qartë se e keqpërdorin ujin e pijshëm për vaditje, në vend që të përdorin ujë industrial. Edhe ata që lajnë veturat, nuk e di se me çfarë uji furnizohen. Në këtë vapë dhe krizë uji, do të ishte mirë të kishim pak më shumë kursim dhe arsyetim, veçanërisht për ata që jetojnë në ndërtesa të larta ku ka më shumë probleme”.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale „Sharri“ konfirmojnë se ka ankesa për rënie të shtypjes ose mungesë uji, por theksojnë se kapacitetet aktuale janë më se të mjaftueshme. Qyteti aktualisht furnizohet me 450 litra ujë në sekondë, nga 300 litra sa janë nevojat reale të Tetovës.

“Për momentin kemi gjendje stabile. Krahasuar me vitin e kaluar apo para dy vitesh, sivjet kemi furnizim më të mirë. Megjithatë, përsëri hasim vendbanime ku humbet presioni dhe qytetarët ankohen. E gjithë kjo vjen si pasojë e keqpërdorimeve të mëdha gjatë ditës për shkak të temperaturave të larta. U bëj thirrje të gjithë atyre që vadisin apo lajnë rrugët që t’i ndërpresin këto veprime, përndryshe do të dalim në terren me inspektoratin për t’i dënuar. Tetovës i nevojiten 300 litra ujë në sekondë, ndërsa ne me 450 litra përsëri kemi ankesa. Tani shtrohet pyetja: sa litra ujë i nevojiten me të vërtetë këtij qyteti?”, tha Valon Zeqiri.

Në Tetovë, faturimi i ujit bëhet për kokë banori. Kjo bën që pjesët e poshtme të qytetit të kenë tejfurnizim dhe presion më të lartë, ndërsa mungesa e shtypjes vërehet në lagjet rrëzë Malit Sharr, ku harxhimi rritet ndjeshëm me ardhjen e mërgimtarëve dhe ngritjen e temperaturave.