Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot në Uashington nga Beth Tritter, zëvendëspresidente e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), agjenci e pavarur amerikane e asistencës së jashtme, e themeluar nga Kongresi amerikan në vitin 2004.
Presidentja Jahjaga dhe zëvendëspresidentja Tritter diskutuan për mundësinë që Kosova të përfitojë nga asistenca e MCC-së.
Jahjaga e njoftoi Tritter se që nga muaji shkurt i këtij viti zyra e presidentes ka marrë përsipër bashkërendimin e institucioneve vendore, organizatave ndërkombëtare dhe Ambasadës së Kosovës në Uashington, ku është bërë një punë e konsiderueshme për të përmirësuar indikatorët e politikave të kërkuar nga MCC.
Jahjaga shprehu besimin që progresi i deritanishëm do të reflektojë pozitivisht në përzgjedhjen e Kosovës për të përfituar nga asistenca e MCC-së.
Zëvendëspresidentja Tritter e falënderoi Jahjagën për angazhimin e saj personal për të arritur partneritetin ndërmjet Kosovës dhe MCC-së.
Ajo theksoi se është jashtëzakonisht e kënaqur me nivelin e bashkëpunimit që MCC ka pasur me ekipin kosovar këtë vit dhe progresin që ës htë arritur përbrenda një kohe shumë të shkurtër në përmirësimin e indikatorëve.
ZëvendëspresidentjaTritter njoftoi presidenten që rezultatet e shteteve kandidate do të publikohen në fund te tetorit dhe vendimi final për themelimin e partneritetit merret nga Bordi i kësaj agjencie në dhjetor të këtij viti.
Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) që prej themelimit të saj ka mbështetur reformat në shumë shtete në tranzicion me dhjetëra milion dollarë grante. Përzgjedhja e vendeve për të përfituar nga asistenca e MCC-së bazohet në një procedurë strikte dhe inovative të performancës së shteteve në 20 tregues të ndryshëm politikash, si: qeverisja e mirë, liria ekonomike dhe investimi në qytetarë.
