Sa deputet i ka BDI në Kuvend – 13 apo 15? Izet Mexhitin dhe Merita Koxhaxhiku nuk e mbështeten rikonstruimin e Qeverisë, e pa votat e tyre dhe pa votën e Kastriot Rexhepit u pa se shumica i ka 65 deputetë.
TV21: z.Grubi na tha mbrëmë që BDI nuk llogarit në 2 deputetët në kuptimin që nuk do të votojnë për rikonstruktimin e Qeverisë. Kjo u pa mbrëmë në numra që nuk janë! Çfarë do të thotë kjo?
“Qeveria paraprake kishte 64 numra, 64 mandate të deputetëve që e përkrahnin Qeverinë. Në votimin e mbrëmshëm, ku realisht u bashkua PDSh-ja e dikurshme dhe asgjë tjetër, tani ka 65 mandate. Si i konsideron Artani deputetët e BDI-së nuk besoj që është më i thirruri që ta trajton atë çështje”, tha Blerim Bexheti, sekretar organizativ i BDI-së.
Sipas sekretarit organizativ të BDI-së Blerim Bexheti, i cili mbrëmë ishte i ftuar në Click Plus, as ASh-së nuk i ka bërë mirë hyrja në Qeveri, por siç shprehet, ky akrobacion më shumë e ka dëmtuar vetë BDI-në.
“Moment politik për kyçjen e ASh-së në Qeveri nuk ka pasur dhe nuk ka. Motivet dhe arsyet do të shihen ditëve ne vijim”, deklaroi Blerim Bexheti, sekretar organizativ i BDI-së.
Ndonëse thanë se me Aleancën në Qeveri do ta stabilizojnë shumicën parlamentare, kjo gjë nuk po ndodh as tani, tha nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti në tubimin e mbrëmshëm në Çair, duke shtuar se shumica edhe sot vazhdon ta lusë VMRO-DPMNE për ndryshimet kushtetuese.
“Ne edhe këtu para jush e themi, siç kemi thënë që në fillim se nuk do të rriten numrat siç thonë ato e bëjmë këtë ndryshim për ta rritur dhe stabilizuar shumicën parlamentare, për ta rritur numrin dhe mbrëmë e pamë që nuk u rrit numri. Thanë se e bëjmë këtë për t’i bashkuar shqiptarët, por një subjekt Alternativa doli, Aleanca hyri. E bënë se do t’i afrohen 80-shti për të bërë ndryshimet kushtetuese, ndërsa prapë tash e lusin VMRO-DPMNE që t’i bëjnë 80”, pohoi Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.
Ndonëse shumica parlamentare u rrit vetëm me 1 deputet, LSDM vazhdon të lavdërohen se e kanë rritur shumicën parlamentare në 65 deputet.
“65 deputet për dhe asnjë kundër, asnjë i përmbajtur i votuan ministrat e rinj që paraqet rritje të shumicës parlamentare. Ranë në ujë gënjeshtrat e pengut të Dimitar Apasiev, Hristijan Mickoski, se në fund të shkurtit ai do të siguronte 61 deputetë për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, pohoi Daniela Koleva, deputete e LSDM-së.
Ndryshimet në shumicën parlamentare i ka komentuar ditë me parë edhe sekretari i Alternativës, Zekirija Ibrahimi i cili tha se tash duhen edhe 15 deputetë për të realizuar ndryshimet kushtetuese.
