U ndërtua dhe u shkatërrua pa u përdorur fare. Salla e sportit në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”

TË FUNDIT

Kjo është salla e sportit që gjendet në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”. U ndërtua para disa vitesh që t’u shërbejë studentëve, por nga mosmenaxhimi tani është shkatërruar dhe shndërruar në vend për mbeturina.

“Gjendemi te salla e Universitetit “Kirili dhe Metodi” dhe siç po duket kjo sallë është e ndërtuar, por në të njëjtën kohë është e shkatërruar. Në vend që ky objekt të ishte në funksion, kjo sallë u përdor vetëm për t’i thyer dyert dhe dritaret”, raporton gazetarja e TV21 Fazile Halili.

Për ndërtimin e kësaj salle mjete i ka ndarë Qeveria, ndërsa për kryerjen e punës Agjencia për Rini dhe Sport kishte lidhur kontratë me Ndërmarrjen për Ndërtim, Tregti dhe Shërbime “Alkon proekt”, me të cilën tash janë në proces gjyqësor për shkak të mosmarrëveshjes për mënyrën e pagesës dhe kryerjen e punëve teknike, pas çka nuk po mund të bëhet pranim-dorëzimi i objektit.

“Nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”- Shkup është marrë obligim që të krijohet një projekt për sanimin e dëmit të bërë, nga i cili do të përcaktohet saktë vlera e parashikuar e rehabilitimit. Agjencia për Rini dhe Sport do të sigurojë mjete për vënien në funksion të sallës së sportit për studentët dhe të rinjtë. Pas marrjes së projektit për renovimin e sallës sportive nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Agjencia për Rini dhe Sport do t’i qaset procedurave administrative për realizimin e renovimit të objektit”, thonë nga Agjencia për Rini dhe Sport.

Agjencia për “Rini dhe Sport” siguron se salla do të rindërtohet dhe se me shumë gjasa vitin e ardhshëm do të lëshohet në përdorim.