“Për shkak se lista e të paraqiturve për fjalë ka mbaruar konstatoj se debati ka përfunduar. Këtu e ndërpres punën me këtë seancë, për vazhdimin do të njoftoheni në mënyrë shtesë”, tha kryeparlamentari Talat Xhaferi.
Siç paralajmëroi edhe paraprakisht kryeparlamentari, Talat Xhaferi, e ndërpreu seancën ku në rend të ditës ishin ndryshimet kushtetuese për shkak se nuk u sigurua shumicë e dy të tretave për miratimin e tyre pas çka deputetët e opozitës reaguan në mënyrë flagrante. Edhe pse në fillim të seancës kryeministri Dimitar Kovaçevski, u bëri thirrje deputetëve që të jenë të përgjegjshëm dhe të mos bllokojnë rrugën drejt BE-së.
“Mund të bëjë thirrje dhe apel deri te ju për vetëdijesim, ndershmëri dhe të udhëhiqeni nga interesat e përgjithshëm e jo personal. Çfarëdo që të bëni keni përgjegjësi. Andaj sot është dita kur do të bëhet e qartë kush dëshiron që ta shohë shtetin në BE dhe kush e bllokon të ardhmen europiane të qytetarëve të gjeneratave të sotme dhe të ardhme. Kush do të angazhohet që shteti të ecë përpara, e kush përmes arsyetimeve do të ikë nga përgjegjësia para qytetarëve”, u shpreh kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Në debatin që zgjati tre orë, atmosfera u zhvillua ashtu siç pritej me mesazhe nga shumica parlamentare për mbështetje të amendamenteve kushtetuese, ndërsa opozitarja VMRO-DPMNE-ja mbeti e mendimit se nuk do ta votojnë ndryshimin e Kushtetutës.
“Askund nuk ka kushtetutë që flet për pjesë të kombeve, ku, imagjinoni flitet për mbrojtjen e diasporave jashtë, kështu që ne do të mbrojmë diasporën bullgare jashtë, e cila është në konflikt shekullor me diasporën maqedonase. Arsyetimi juaj është katastrofal, një katastrofë kushtetuese. Ne nuk mund që nga Preambula të krijojmë një lloj fjalori”, tha Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE.
Arbër Ademi nga BDI tha se qytetarët duan hyrje në Bashkimin Europian dhe presin miratimin e amendamenteve kushtetuese. Ai iu drejtua deputetëve të opozitës.
“Ne kemi përgjegjësi historike për të frymëzuar shpresë, jo frikë. Le të mbjellim një të ardhme dhe të çrrënjosim pashpresën. Kjo përgjegjësi kërkohet nga të gjithë ne që jemi këtu 120 në numër. Le të votojmë Për”, tha Arbër Ademi nga BDI.
Para deputetëve foli edhe deputeti i pavarur Skender Rexhepi Zejdi, i cili nuk la pa përmendur edhe formulimin 20% në Kushtetutë.
“Kjo ndodhë që propozimi për ndryshime kushtetuese, ku në Kushtetutë të shtohen bullgarët, kroatët dhe shumë të tjerë, bile do të kisha propozuar të jenë edhe goranët edhe torbeshët pse jo. Në anën tjetër kjo Kushtetutë të bëjë nismën edhe për ndryshimin e 20% të turpshëm me të cilën shqiptarët 20 vite mbrapa jetojnë të ofenduar në mënyrë të turpshme nga vendosja e një kauze, një çështje, një çmimi një nuri 20%”, tha Skender Rexhepi-Zejdi, deputet i pavarur.
Me këtë përfundoi debati për nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, pa u votuar, për faktin se nuk kishte shumicë për të votuar, me çka kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e ndërpreu seancën. Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kusht për vazhdimin e negociatave të vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian.
