Pasiguria për Ngushticën e Hormuzit mban nën presion tregjet

TË FUNDIT

Çmimet globale të naftës kanë shënuar një rritje të lehtë, ndërsa investitorët vijojnë të ndjekin me kujdes zhvillimet rreth Ngushticës së Hormuzit dhe mundësinë e një marrëveshjeje për rihapjen e saj.

Nafta e papërpunuar Brent, referenca kryesore për tregun ndërkombëtar, u rrit me rreth 1.2%, duke u tregtuar pranë nivelit të 80 dollarëve për fuçi. Ndërkohë, nafta amerikane WTI fitoi rreth 1%, duke arritur në afërsisht 76 dollarë për fuçi.

Rritja e çmimeve vjen pasi Irani deklaroi se po finalizon një marrëveshje me Omanin për tranzitin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, autoritetet iraniane kanë sqaruar se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht rihapjen e plotë të kësaj rruge strategjike detare.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë. Përpara përshkallëzimit të konfliktit në rajon, përmes saj kalonte rreth 20% e furnizimit global me naftë.

Pasiguria në tregje është shtuar edhe nga zhvillimet në Detin e Kuq. Rebelët Houthi në Jemen morën përgjegjësinë për një sulm ndaj një naftëmbajtëseje saudite në Gjirin e Adenit, pranë Ngushticës Bab al-Mandeb, një tjetër pikë kyçe për tregtinë detare ndërkombëtare.