U miratuan ligjet reformuese nga agjenda e BE-së /Opozita kritikon, sektori publik do të partizohet edhe më shumë

TË FUNDIT

Ligjet reformuese për administratën publike dhe nëpunësit administrativë, që janë pjesë e agjendës europiane, kaluan në seancën e Kuvendit. Ministri Goran Minçev në arsyetimin e tij tha paraprakisht se me këto ligje do të kontribuohet për profesionalizimin e sektorit publik dhe pretendoi se do të ndalet partizimi i administratës. Punësimet do të bazohen në merita dhe jo në njohje personale, tha Minçev.

“E para është profesionalizimi i sektorit publik, që do të thotë se çdo konkurs do të jetë publik, institucionet do të jenë të detyruara për transparencë të plotë, përzgjedhja do të bëhet përmes tri fazave të qarta dhe të besueshme – kontroll administrativ, testim dhe intervistë me kandidatët dhe kriteret e përcaktuara. Do të luftohet partizimi që është një nga problemet kryesore, përmes kufizimeve të qarta të kompetencave diskrecionale dhe rregullave të rrepta. Po e ndërpresim hapësirën për punësime partiake dhe joformale në sektorin publik”, deklaron Minçev.

Opozitarja LSDM me kritika, thonë se ligjet janë konfuze dhe nuk do ta përmirësojnë gjendjen e të punësuarve në sektorin publik dhe në vend se ta ndalin partizimin, krijojnë hapësirë për përkeqësim të mëtejshëm.

“Vetë propozim-ligji është konfuz, i paqartë, kontradiktor dhe në pjesën më të madhe nuk i justifikon qëllimet për të cilat është përgatitur. Madje disa dispozita e përkeqësojnë gjendjen nga aspekti i të drejtave të nëpunësve administrativë. Vetë ligji ka shumë paqartësi që hapin mundësi për rrezik për korrupsion dhe partizim, në vend të kompetencës dhe sistemit të meritave”, kritikon Jovana Trençevska nga LSDM.

Gjithashtu, deputetët miratuan edhe katër ligje për transformim digjital me flamur europian. Ministri Stefan Andonovski theksoi se me Ligjin për sigurinë e sistemeve të rrjetit dhe informatike, për herë të parë vendoset kornizë ligjore për rregullimin e sigurisë kibernetike, që paraqet hap të madh drejt së ardhmes digjitale.