Dy ditë pas zhdukjes më në fund janë gjetur vajzat e mitura Anisa dhe Melisa. Në gjendje të mirë shëndetësore ato fillimisht u dërguan në stacionin policor “Bit Pazar”.
“Sot (01.04.2023) në orën 13:30 në rrugën “Xhon Kenedi”, pranë një objekti shitës në park, nga Njësiti i Punëve të Brendshme Qendër dhe Bit Pazar, pas kontrollit një ditor janë gjetur të miturat M.K.(15) dhe A.A.(12), të cilët raportohet se janë larguar më datë 30.03.2023 në mbrëmje. Pas dokumentimit të rastit, të miturit do t’u dorëzohen prindërve”, thonë nga MPB.
U tha se për herë të fundit janë parë në shkollën fillore “Liria” të Gazi Babës, ku edhe ndjekin mësimin.
“Ne kontaktuam me drejtoreshën e shkollës e cila na tha se Anisa ka tre ditë që nuk ka qenë në shkollë, ndërsa Melisa për një javë”, raporton gazetarja Almedina Ismajli.
E shqetësuar, nëna e Melisës disa çaste para se të gjendeshin, kishte shkuar në polici për të kërkuar ndihmë. Për TV21 ajo tregoi se kur e ka parë për herë të fundit të bijën.
“A mundesh ne na tregu kur është zhduke dhe kontakti i fundit me vajzën?
Me vajzën kontaktin e fundit e kemi pasur në syfyr, kemi qenë bashkë me datë 29, të enjtën në shtëpi. Mirë, mirë ka qenë vajza në shtëpi”, tha nëna Melisës.
Ajo dyshonte se vajzat po tentojnë të largohen nga Maqedonia, meqë disa herë e kishte pyetur për dokumentet e nevojshme për të kaluar kufirin.
“Më ka pyetur se a mundem me numër amë ose shtetësi, përmendi të gjitha dokumentet, i dinte të gjitha ishte interesuar, më pyeste a mund të dal jashtë kufirit, këtë ma ka përmend”, shtoi nëna.
Ndryshe për dy vajzat kërkohej nga e enjtja kur në stacion policor është denoncuar se janë larguar në drejtim të panjohur.
Nga MPB thonë se pas dokumentimit të rastit, dy minorenet do t’ua dorëzojnë prindërve të tyre. Mbrëmë kërkimit të të miturave iu bashkua edhe grupi i tifozëve “Shvercerat”.
