Hapja solemne e konferencës “Rruga drejt Prespës”, i mblodhi në Ohër shumë figura politike të vendit, rajonit, Evropës dhe SHBA-së.
Panelistët e konferencës theksin e vendosën tek Marrëveshja e Prespës 3 vite më parë.
Ata thanë se nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës ishte një shembull për të gjithë se si dy shtete arritën të thyenin barrierat për fqinjësi dhe bashkëpunim të mirë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në fjalimin e tij tha se jemi bërë shembull bashkëkohorë.
“Njëherit i tham Botës një Ballkan të ri, evropian, një Ballkan me kapacitet dhe për të qenë i lirë, një Ballkan ndryshe, Ballkan shembull për Botën. Ne sot jemi bërë bartës të zgjidhjeve dhe qetësisë”, u shpreh kryeministri Zaev.
Lideri i SYRIZËS dhe ish kryeministër i Greqisë, Aleksis Cipras, tha se 3 vjet pas hapit të madh që e bëmë, zgjidhëm një problem të madh mes dy vendeve, një hap që ishte mesazh pozitiv për të gjitha vendet.
“3 vite pas hapit të madh që e bëmë së bashku zgjidhëm një problem të madh mes dy vendeve, një hap që ishte mesazh pozitiv për të gjitha vendet. Para 3 viteve ne së bashku, Zorani e di, ta vodha kollaren atë ditë dhe e ruaj në sirtarin tim, 3 vite si një kujtesë të një hapi të guximshëm dhe të një miqësia stabile mes nesh”, u shpreh ish-kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.
Ndërsa lideri i integristëve Ali Ahmeti theksin e vuri tek takimi që e kishte zhvilluar gjatë ditës me Lajçak për rrugëtimin drejt BE-së.
“Zotëri Lajçakut iu luta, i thash ta mbulojmë vrimën e zezë në Evropë, Ballkani është Evropa, atdheu i të parëve të Evropës është Mesdheu, andaj duhet ta mbyllim vrimën e zezë sepse këtu në këtë vrimë të zezë i tërë krimi është i grumbulluar nga të gjitha vendet e Evropës”, tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ndërkaq Kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se 27 prilli nuk duhet harruar kurrë dhe duhet të mbetet si leksion për të gjithë.
“Mendoj se askush nga ne nuk duhet ta harroj momentin kyç që ndodhi në parlamentin tonë si dy momente më të zymta të cilat mendoj se janë leksione i cili nuk do të përsëritet kurrë , sepse janë data që lanë njolla të pa lejueshme në rritjen, zhvillimin dhe maturinë demokratike në vend”, potencoi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Gjatë ditës në Forumin e Prespës për dialog janë mbajtur edhe disa takime tjera të rëndësishme me kryeministrat e rajonit.
