Në qendrën e qytetit, afër bregut të Vardarit, afër vendbanimit dhe sallës së sportit “Boris Trajkovski” disa orë po digjet deponia. Tymi dhe era e keqe po shpërndahet gjithandej.
Zjarrfikësit me 3 automjete e shuajnë zjarrin. Dhjetëra cisterna me ujë janë harxhuar por zjarri ende është aktiv. Pushteti lokal ka angazhuar edhe ekskavator i cili ndihmon që të mbulohet me dhe deponia.
“Bëhet fjalë për deponi që ka hapësirë të madhe që është e ndezur, bëhet fjalë për deponi me mbetje të mëdha. Kemi intervenuar me 3 automjete dhe 6 zjarrfikës. Deri më tani kemi shpenzuar rreth 50 tonelata ujë dhe zjarri është vendosur nën kontrolle, dhe tani po bëhet shuarja”, theksoi Jane Tasevski – komandant i njësiës “Taftalixhe”.
Nga Komuna e Karposhit thonë se ata e kanë pastruar deponinë por qytetarët e papërgjegjshëm vazhdimisht hedhin mbeturina.
“Me shumë gjasa bëhet fjalë për hedhje individuale të mbeturinave dhe ndezje të mbeturinave, që duhet të konfirmojnë shërbimet kompetente. Përndryshe, inspektorati i autorizuar ekologjik nga Komuna e Karposhit menjëherë doli në terren, ndërsa Komuna përsëri merr përgjegjësi që të pastrojë mbeturinat e ndezura”, thonë nga Komuna e Karposhit.
Në të njëjtin lokacion, zjarr kishte edhe vitin e kaluar, në muajin prill. Pas zjarrit, Komuna e Karposhit dhe Qyteti i Shkupit filluan me pastrimin e deponis së madhe, ndërsa u paralajmërua se në këtë vend do të ndërtohet park.
