Është shuar zjarri i cili shpërtheu mbrëmë në TEC Manastir, kurse në vendngjarje është bërë kontroll nga ana e ekipeve eksperte pranë SH.A. EMV për t’i vërtetuar shkaqet e zjarrit. Zjarri ka shpërthyer në një nga izolatorët e transformatorit të jashtëm të Bllokut 3 dhe falë intervenimit të shpejtë të ekipeve zjarrfikëse flakët janë vënë nën kontroll. Lokacioni është siguruar, kurse ekipet e SH.A. Elektranat e Maqedonisë së Veriut dhe shërbimet kompetente do t’i hetojnë arsyet e kësaj ngjarjeje. SH.A. EMV i hedh poshtë spekulimet për punë joprofesionale dhe të pandërgjegjshme, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për proces prodhimi me pajisje të vjetra mbi 40 vjet. Gjëja më e rëndësishme për kompaninë është se nuk ka të lënduar. Për më pak se një orë, Blloku 1 ishte vënë në funksion dhe nga sot në mëngjes punon me kapacitet të plotë. Meqë dëmtimi i transformatorit të Bllokut 3 është nga përmasa më të mëdha, i njëjti për një periudhë të caktuar nuk do të kyçet në sistemin e prodhimit, thonë nga EMV.
“Mbrëmë vonë pak pas orës 23 shpërtheu zjarr të madh i cili kaploi një nënstacion, gjegjësisht Bllokun 3. Sipas informacioneve që arritëm t’i marrim, është shkaktuar dëm i madh material. Informacion zyrtar dhe konfirmim për zjarrin morëm edhe nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut, prej ku thonë se nuk ka të lënduar, kurse zjarri ishte shuar shumë shpejt. Informacionet e fundit nga tereni janë se gjatë shpërthimit të zjarrit në Bllokun 3, është kapluar edhe Blloku 1, blloqe këto të cilat punonin gjatë periudhës së fundit, kurse Blloku 3 ishte vënë në funksion para dy-tre ditëve, respektivisht pas paralajmërimeve për krizë energjetike me qëllim të rritjes së prodhimit të energjisë elektrike”, raporton gazetari i TV21 nga terreni, Jovica Paunoski.
