TV21 në Kiev, Ukraina prioritet i kryesimit të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut

TË FUNDIT

Ky është shkatërrimi që ka shkaktuar bombardimi rus në Borodianka, qytezë në afërsi të Kievit.

Banesa të djegura dhe plot rrëfime të dhimbshme të njerëzve që janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre pas agresionit rus në Ukrainë.

“Në ditët e para të pushtimit këtu nuk kishte forca të armatosura ukrainase. Mbrojtja jonë ishte e përqëndruar në Lindje të shtetit dhe nuk e prisnim agresionin nga pjesa e Bellorusisë”.

Plumbave nuk u ka shpëtuar as ky monument, për të cilin banorët thonë se do të mbetet kështu, si një përkujtim për atë që ka ngjarë.

Gjatë okupimit, trupat ruse rrinin këtu tek shtëpia e kulturës, ishte baza e tyre nga ku ishin në gatishmëri për të sulmuar nga dritaret”.

Mes rrënojave artistët kanë gjetur hapësirë për ta vizatuar këtë fëmijë duke e rrëzuar Putinin në xhudo.

Ata që kanë mbetur pa kulm mbi kokë dhe nuk janë larguar nga qyteti janë vendosur në këtë kamp të ndërtuar me ndihma të huaja.

Për të dëgjuar për ato që kanë ndodhur këtu, erdhi Ministri i Jashtëm Bujar Osmani – për herë të parë si kryesues i OSBE-së.

“Jam këtu si kryesues i OSBE-së për të shprehur mbështetjen e fortë për ju ukrainasit që keni vuajtur shumë gjatë këtij agresioni”.

“Këtu nuk është si të jesh në shtëpi, por të paktën jemi diku, të kemi siguri dhe ushqim”, tha kjo e moshuar.

Kjo urë këtu gjendet në rrethinën e Kievit ndërsa është shkatërruar nga vetë ukrainasit për të parandaluar trupat ruse që të futen në kryeqytet, raporton gazetari i TV21, Besir Arifi.

Ukraina është prioriteti numër një i këtij kryesimi të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut. Për këtë Ministri Osma e siguroi edhe Ministrin ukrainas për Punë të Jashtme Dimitri Kuleba.

“Maqedonia e Veriut, në krye të Organizatës, do të shërbejë si gardian i parimeve të dakorduara të OSBE-së. Mund të mbështeteni në të. Ne do t’i mbështesim të gjitha iniciativat që do të çojnë në një paqe të qëndrueshme, duke siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht dhe do të vendosim bazë për t’i diskutuar në mënyrë paqësore të gjitha çështjet e hapura”, tha Osmani.

“Ia përsërita edhe kolegut tim që pritshmëria jonë është se e vetmja rrugë për ta shpëtuar OSBE-në është duke e hequr qafe Rusinë si anëtare. Për të arritur këtë pikë na duhet të bëjmë gjithçka të nevojshme për ta privuar Rusinë nga çdo mundësi për të ndikuar në vendimmarrjen e kësaj organizate”, u shpreh Kuleba.

“Në fund të shkurtit mbushet një vit nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Rusia vazhdon që të bombardojë dhe dëmtojë infrastrukturën më rëndësishme të qyteteve të mëdha dhe posaçërisht Kievin, duke i lënë pa energji dhe ngrohje, gjersa kërkesa nga e gjithë bota perëndimore dhe jo vetëm, është një dhe e qartë, që agresioni rus duhet të ndalojë menjëherë”, raporton Besir Arifi, TV21, Kiev.