Ani pse u përhap lajmi se Agim Ismailoviq, i dyshuar në rastin “Monstra”, u arratis, TV21 e gjeti në shtëpinë e tij në Hasanbeg të Shkupit, pak përpara se të vinte policia për ta shoqëruar drejt paraburgimit.
Ismailoviq ka mohuar të ketë pasur për qëllim arratisjen. Intervista e plotë do të transmetohet pas pak.
Ismailoviq sot ishte në seancën gjyqësore për lëndën e njohur si “Monstra”, por më pas ai, si i dyshuar që mbrohet në liri, u largua pa paralajmërim, pas çka policia iu vu pas për ta arrestuar.
Kujtojmë se ky arrestim i tij vjen pasi Këshilli Penal i Gjykatës Themelore të Shkupit e pranoi propozimin e prokurores Fatime Fetai për t’u caktuar paraburgim dy të akuzuarve, Fejzi Aziri dhe Agim Ismailloviq, për shkak rrezikut nga arratisja.
“Të akuzuarit Fejzi Aziri i është caktuar paraburgim 30 ditor dhe i njëjti është dorëzuar në Burgun Hetues në Shkup ku gjendet i akuzuari, derisa për Agim Ismailloviqin është caktuar masë paraburgimi nga gjetja gjegjësisht privimi nga liria dhe është dorëzuar në MPB”, informojnë nga Gjykata./TV21
