Izraeli dhe Turqia do të rivendosin raportet e plota diplomatike dhe do të dërgojnë ambasadorët e tyre në shtetet përkatëse, për herë të parë pas shumë vitesh.
Kështu deklaroi më 17 gusht kryeministri në detyrë i Izraelit, Yair Lapid.
“Rivendosja e raportet me Turqinë është një aset i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe një lajm shumë i rëndësishëm ekonomik për qytetarët e Izraelit”, tha ai përmes një deklarate zyrtare.
Ky vendim vjen pasi Lapid vizitoi Ankaranë në qershor, ku zhvilloi bisedime me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u tha në deklaratë.
Dikur aleatë të ngushtë, Turqia dhe Izraeli përkeqësuan raportet më 2010 pasi dhjetë shtetas së Turqisë u vranë kur marina izraelite sulmoi një anije që po dërgonte ndihma në Gaza.
Gjatë vizitës së tij në Izrael, ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu deklaroi se përmirësimi i marrëdhënieve me Izraelin do ta ndihmonte popullin palestinez.
Cavusoglu, i cili u takua me zyrtarët palestinezë në Bregun Perëndimor, vizitoi më 25 maj Jerusalemin, në vizitën e parë të një zyrtari të lartë turk në më shumë se 15 vjet. Turqia dhe Izraeli po përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre, pasi ato u përkeqësuan në vitin 2008, për shkak të një operacioni ushtarak të Izraelit në Rripin e Gazës.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u ndërprenë totalisht në vitin 2010, kur forcat izraelite mësynë një anije humanitare turke, gjatë një operacioni që shkaktoi 10 viktima, të gjithë me shtetësi turke.
Cavusoglu dhe homologu i tij izraelit, Yair Lapid theksuan se lidhjet ekonomike kishin vazhduar të rriteshin, pavarësisht vitesh armiqësie mes dy vendeve.
“Ne nuk do të pretendojmë se marrëdhënia jonë nuk ka parë uljet dhe ngritjet e saj”, tha Lapid.
“Edhe në kohët kur tensionet politike kanë qenë të larta, bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona ka qenë në rritje të vazhdueshme”.
Duke iu adresuar konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës, Cavusoglu u shpreh se Turqia dhe Izraeli mund “të adresojnë mosmarrëveshjet e tyre në një mënyrë më konstruktive.”
“Turqia është gati të marrë përgjegjësinë e saj dhe të vazhdojë të kontribuojë për dialogun mes Izraelit dhe Palestinës” – deklaroi ai.
Pasi u takua me Lapid, Cavusoglu vizitoi xhaminë e Al-Aqsa në pjesën lindore të Jeruzalemit, vendi i tretë më i shenjtë për botën Islame dhe skenë e përleshjeve të përsëritura midis palestinezëve dhe policisë izraelite gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Më shumë se 200 njerëz, kryesisht palestinezë, janë plagosur gjatë javëve të fundit.
Cavusoglu tha më herët se dialogu midis presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe homologut të tij izraelit, Isaac Herzog, ndihmoi në “mbajtjen e qetësisë” gjatë Ramazanit.
Muajin e kaluar, Erdogan telefonoi homologun e tij izraelit pas përleshjeve në Al-Aksa, i njohur për hebrenjtë si Mali i Tempullit dhe vendi më i shenjtë në judaizëm.
Erdogan mbetet një mbështetës i zëshëm i kauzës palestineze, por analistët thonë se ai dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve me Izraelin për të forcuar ekonominë në vështirësi të Turqisë, duke përfshirë iniciativat e përbashkëta të gazit.
Në takimin e tij me Lapid, Cavusoglu vuri në dukje se Turqia ishte një nga 10 partnerët kryesorë tregtarë për Izraelin dhe një destinacion kryesor për turistët izraelitë, duke shprehur shpresën se thellimi i lidhjeve mund të sjellë përfitime për palestinezët.
“Ne besojmë se normalizimi i lidhjeve tona do të ketë një ndikim pozitiv në zgjidhjen paqësore të konfliktit,” tha ai.
Gjatë vizitës të Cavusoglu në Ramallah të martën, Turqia nënshkroi nëntë pakte të reja autoritetet palestineze, në fusha si bujqësia, arsimi dhe tregtia./REL
