Tufegxhiq: Nga 15 prokurorë, të paktën 5 nuk pajtohen me këtë aktakuzë për “Puls”

TË FUNDIT

Aktakuza për rastin “Puls” është mjaft problematike nga disa aspekte, pajtohen avokatët Vlladimir Tufegxhiq dhe Elenko Milanov. Sipas tyre, nuk mund që të gjithë të përfshirët në aktakuzë të akuzohen për bashkëkryerje, pasi një pjesë e madhe e tyre, në momentin e tragjedisë, pra zjarrit, nuk kanë qenë në asnjë mënyrë të lidhur drejtpërdrejt apo tërthorazi me diskotekën. Siç thonë ata, nga gjithsej 15 prokurorë në ekip, të paktën pesë nuk pajtohen me një aktakuzë të tillë.

“Në procesin e Nurembergut kishte katër prokurorë, ndërsa ju në një lëndë të tillë vendosni 15 prokurorë dhe krijoni një ekip, nga të cilët të 15-të i njoh personalisht, dhe jam i bindur, i sigurt dhe pohoj se të paktën pesë prokurorë nuk pajtohen me këtë koncept të aktakuzës, por këtë e mbajnë për vet”, tha Vlladimir Tufegxhiq, avokat.

“Jo pesë prokurorë, këtë aktakuzë e mbajnë dy deri në tre prokurorë, të cilët mendojnë se ka hapësirë”, deklaroi Elenko Milanov, avokat.

Problemi më i madh i vetë aktakuzës, sipas avokatëve, është se Prokuroria i ndjek të gjithë të akuzuarit për të njëjtën vepër penale dhe kërkon kauzalitet në lidhjen shkak-pasojë. Që të ketë proces gjyqësor efikas, përmes të cilit do të zbuloheshin dhe dënoheshin fajtorët e vërtetë, ata porosisin se Prokuroria duhet ta rishqyrtojë aktakuzën. Këtë, sipas tyre, duhet ta bëjë kryeprokurori i ri që do të emërohet në vend të Kocevskit, nëse ai shkarkohet nga procedura parlamentare.

“Me këtë përbërje dhe me këtë qasje të punës së Prokurorisë, nuk besoj se kjo do të ndodhë shpejt, por besoj se do të vijë një praktikë e re, e cila do ta shohë këtë ndryshe dhe do të jetë më pragmatike se ajo e deritanishmja”, tha Vlladimir Tufegxhiq, avokat.

“Ligjërisht mundet, mund të thërrasë kolegium, kolegium të zgjeruar, mundet, por çështja është kredibiliteti, nëse ai do të jetë në shënjestër, sepse nga të gjitha çështjet, kjo lëndë është kapur si temë kryesore”, theksoi Elenko Milanov, avokat..

Sipas tyre, rishqyrtimi i mundshëm i aktakuzës dhe përpilimi më i mirë i saj, do të kontribuonte që procesi gjyqësor të përfundonte më shpejt dhe të dënoheshin fajtorët e drejtpërdrejtë të tragjedisë.