Qytetarë të grumbulluar, pa distancë e pa maska.
Kështu ka ditë që kanë filluar tubimet partiake. Nga ana tjetër, nxënësit në shkolla po mundohen t’i respektojnë të gjitha masat kundër Covid 19, duke mbajtur maska dhe distancë gjatë gjithë orëve të mësimit.
Në këto tubime është parë edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska.
Sot e pyetem se çfarë shembulli po jep për nxënësit në këto tubime?!
“Protokolli parasheh maskë në ambient të mbyllur dhe heqjen e maskës në momentin që fëmijët dalin në oborr të shkollës. Të gjitha ngjarjet si ministre por edhe si nënkryetare e partisë LSDM ku kam marr pjesë kanë qenë në ambient të hapur. Kushtet për punë me qytetarët dhe lëvizja e nxënësve në oborrin e shkollës janë të njëjta”, tha Carovska.
Për nxënësit do të bëhet edhe një masë shtesë për mbrojtje kundër Covid 19.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, sot bëri të ditur se në periudhën e ardhshme do të testohen edhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.
“Sipas metodologjisë që po punojmë, në periudhën e ardhshme do të testohen nxënësit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme. Së bashku me ministrinë e Arsimit do të kërkojmë leje nga prindërit. E gjithë kjo bëhet për të pasur një pasqyrë të situatës nëpër shkolla. Nxënësit do të zgjidhen rastësisht. I gjithë procesi do të përfundojë më së voni deri javën tjetër, me të cilën do të dalim edhe me rezultatet”, deklaroi Filipçe.
Ministrja Carovska tha se është në komunikim të vazhdueshëm me ministrinë e Shëndetësisë për testimin e nxënësve dhe me seriozitet do të përcjellët gjendja me Covid 19.
Pas një viti e gjysmë me mësime online, nxënësit me 1 shtator të këtij viti filluan të ndjekin mësimin me prani fizike, por me masa kundër Covid 19.
