Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka firmosur dy urdhra të rinj ekzekutivë që synojnë të kufizojnë të drejtën e shtetësisë automatike për fëmijët e lindur në territorin amerikan.
Njëri prej urdhrave parashikon që shtetësia të mos u njihet automatikisht disa fëmijëve, prindërit e të cilëve nuk janë shtetas amerikanë, përfshirë fëmijët e punonjësve të qeverive të huaja dhe të personave të cilësuar nga autoritetet amerikane si “armiq të huaj”.
Urdhri i dytë synon të ndalojë të ashtuquajturin “turizëm i lindjes”, praktikë me të cilën shtetas të huaj udhëtojnë në SHBA për të lindur fëmijën dhe për t’i siguruar atij shtetësinë amerikane.
Megjithatë, urdhrat ekzekutivë nuk mund të ndryshojnë Kushtetutën apo ligjet federale dhe pritet të përballen me sfida ligjore.
Trump kishte ndërmarrë një hap të ngjashëm edhe në fillim të mandatit të tij të dytë, kur firmosi një urdhër për kufizimin e shtetësisë automatike për fëmijët e lindur nga prindër që ndodheshin përkohësisht ose pa dokumente të rregullta në SHBA.
