Trump për Iranin: Ose ne e përfundojmë, ose ata nënshkruajnë një marrëveshje

TË FUNDIT

Presidenti Donald Trump është rikthyer me deklarata të reja rreth Iranit, duke pretenduar se aftësitë ushtarake të vendit janë pothuajse neutralizuar.

Duke folur para gazetarëve, presidenti amerikan përsëriti se “marina e tyre është shkatërruar, forca e tyre ajrore është shkatërruar, pothuajse gjithçka është humbur”.

Ai vuri në dukje se pyetja kryesore tani është nëse Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë dhe ta përfundojnë atë” apo nëse Irani do të zgjedhë të nënshkruajë një marrëveshje .

“Ne i godasim shumë fort. Mund të na duhet t’i godasim edhe më fort, por mund të mos na ndodhë. Ne nuk do ta lejojmë Iranin të ketë armë bërthamore. Kaq është. Është shumë e thjeshtë. Ata duan aq shumë të bëjnë një marrëveshje, sa do të shohim çfarë ndodh”, theksoi ai duke folur në ceremoninë e diplomimit të Akademisë së Rojës Bregdetare të SHBA-së.

Më parë, Trump tha se nuk po nxitonte për të arritur një marrëveshje paqeje me Teheranin, ndërsa theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimeve në Ngushticën e Hormuzit.

“Ne duhet ta hapim Ngushticën e Hormuzit dhe kjo do të bëhet menjëherë. Pra, ne do t’i japim këtij procesi një shans”, tha ai.

Presidenti amerikan shtoi se ishte më mirë të “shihnim disa vdekje sesa shumë vdekje”, por shtoi: “Mund ta bëjmë në të dyja mënyrat.”

Gjatë fjalës së tij, ai iu referua edhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë se “ai do të bëjë çfarë të dua unë”.

“Ai është një kryeministër në kohë lufte dhe thjesht nuk mendoj se do të trajtohet mirë”, shtoi Trump.