​Trump mungon në debutimin e SHBA-së në Kupën e Botës

TË FUNDIT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk pritet të marrë pjesë në ndeshjen e parë të përfaqësueses amerikane në Kampionatin Botëror 2026, ku SHBA-ja do të përballet me Paraguain në Los Anxhelos. Lajmi është raportuar nga media amerikane, duke iu referuar burimeve të afërta me administratën amerikane.

Sipas raportimeve, në vend të Trumpit në stadium do të jetë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili do të përfaqësojë administratën amerikane në ndeshjen e parë që zhvillohet në tokën amerikane në kuadër të Botërorit 2026.

Drejtori ekzekutiv i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Botërorin 2026, Andrew Giuliani, ka deklaruar se presidenti është i entuziazmuar për fillimin e turneut, por për shkak të angazhimeve nuk do të mund të jetë i pranishëm në ndeshjen hapëse të kombëtares amerikane. Ai ka bërë të ditur se në stadium do të jetë një delegacion i nivelit të lartë i administratës amerikane.
Shtetet e Bashkuara po bashkëorganizojnë Botërorin 2026 së bashku me Kanada dhe Meksikë, ndërsa ky është edicioni i parë me 48 kombëtare pjesëmarrëse dhe 104 ndeshje në total.