Trump kërcënon Meksikën: Gati për sulme ajrore kundër drogës

TË FUNDIT

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, ka deklaruar se është i gatshëm të ndërmarrë sulme ajrore ndaj Meksikës, nëse ky vend nuk do të frenojë trafikun e drogës drejt Shteteve të Bashkuara.

“A do të nisja sulme në Meksikë për të ndaluar drogën? Po, do të bëjmë çfarë duhet për të ndaluar drogën. Meksika ka shumë probleme. Nëse do të na duhej, a do të bënim atje atë që kemi bërë me rrugët ujore? E dini, pothuajse nuk ka më drogë që hyn në rrugët tona ujore”.

Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale, presidenti amerikan theksoi se është i gatshëm të ndërmarrë edhe një operacion tokësor, për të goditur rrjetet e trafikut të drogës dhe për të shuar aktivitetin e bandave kriminale.

Trump komentoi gjithashtu edhe situatën politike në Venezuelë, duke theksuar se drejtuesit aktualë të vendit duhet të largohen nga pushteti.

“Shumë prej tyre do të largohen. Nuk i dua njerëzit që drejtojnë Venezuelën. Unë e dua Venezuelën. Unë i dua njerëzit e Venezuelës. Por ajo që ata i kanë bërë këtij vendi nuk mund të harrohet kurrë, kurrë”.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës janë thelluar, për shkak se administrata Trump ka përqendruar përpjekjet e saj në bombardimin e anijeve që dyshohet se transportojnë drogë.

Pas deklaratave të presidentit amerikan, nuk ka munguar reagimi nga presidenti venezuelian, Nicolas Maduro. Ai ka theksuar angazhimin e tij për zgjidhje paqësore dhe ka bërë thirrje për dialog.

“Paqe, po. Luftë, jo. Kurrë, kurrë luftë”, deklaroi Maduro duke folur në anglisht.

Që nga shtatori, dhjetëra persona kanë ndërruar jetë për shkak të sulmeve nga forcat amerikane, të cilat pretendojnë se anijet e sulmuara në ujërat e Paqësorit transportojnë drogë.