Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka hequr mbrojtjen e Shërbimit Sekret, ish-zëvendëspresidentes dhe ish-rivales së tij në garën presidenciale, Kamala Harris, siç raporton CNN.
Ish-presidentët marrin mbrojtje nga Shërbimi Sekret për gjithë jetën. Harris, si një ish-zëvendëspresidente, mori gjashtë muaj mbrojtje pas largimit nga detyra, sipas ligjit federal. Kjo periudhë përfundoi më 21 korrik.
Megjithatë, mbrojtja e saj ishte zgjatur për një vit shtesë përmes një direktive – që nuk ishte bërë publike deri tani – e nënshkruar nga Presidenti i atëhershëm Joe Biden pak para se të largohej nga detyra.
“Ju jeni të autorizuar të ndërprisni çdo procedurë të lidhur me sigurinë që është autorizuar më parë nga një Memorandum Ekzekutiv, përtej atyre të kërkuara me ligj, për personin vijues, efektive nga data 1 shtator 2025: Ish-Zv/Presidentja Kamala D. Harris,” thuhet në dokument.
Për vendimin është deklaruar këshilltarja e Harris.
“Zëvendëspresidentja është mirënjohëse ndaj Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara për profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e palëkundur për sigurinë,” tha Kirsten Allen.
