Trump e fal ish-kongresmenin George Santos, i dënuar për mashtrim dhe vjedhje identiteti

TË FUNDIT

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka falur ish-kongresmenin George Santos, i cili po vuante një dënim prej shtatë vjetësh për mashtrim dhe vjedhje identiteti, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump shkroi se Santos ishte “keqtrajtuar rëndë” dhe shtoi: “Gëzuar, George, dhe jetë të mbarë!”. Santos ishte vetëm i gjashti kongresmen në historinë e SHBA-së i përjashtuar nga Kongresi, pas një raporti kritik të Komitetit Etik në 2023. Ai kishte pranuar se kishte vjedhur identitetet e 11 personave, përfshirë edhe familjarë, dhe po vuante dënimin në një burg me siguri minimale në Nju Xhersi.

Trump e justifikoi faljen duke sulmuar senatorin demokrat Richard Blumenthal, duke thënë se gënjeshtrat e tij ishin më të rënda se ato të Santosit. Avokati i Santosit, Andrew Mansilla, deklaroi se nuk dihet ende data e saktë e lirimit dhe e quajti dënimin “të tepërt”.

Karriera e Santosit u shemb në 2022, pas hetimeve të New York Times që zbuluan gënjeshtrat e tij për edukimin dhe karrierën. Ai u akuzua për 23 vepra penale federale dhe u bë kongresmeni i parë i përjashtuar në më shumë se dy dekada, përfshirë përdorimin e fondeve të fushatës për shpenzime personale si botoks dhe abonime në OnlyFans.

Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka falur të paktën dy ish-funksionarë republikanë të tjerë të dënuar për korrupsion dhe çështje tatimore.