Tri opsione për Sallën Universale, Shilegovi paralajmëroi referendum për shkupjanët

TË FUNDIT

Në tavolinë ka tri opsione për zgjidhjen e situatës së krijuar me Sallën Universale, deklaroi njeriu i parë i Shkupit, Petre Shilegov. Ai tha se ende nuk është sjellë asnjë vendim përfundimtar dhe se tani për tani ka vetëm debat, ende pse ditëve të fundit kishte reagime të shumta në opinion publik, pasi ishte shpallur konkurs për vendosje të një skene të hapur verore në lokacionin ku gjendet salla. Shilegovi, nuk e përjashtoi mundësinë e organizimit të një referendumi, në qoftë se nuk arrihet konsensus rreth zgjidhjes ideore.

“Opsioni i parë është rrënim i Sallës Universale dhe ndërtim i një objekti të ri në lokacionin e tanishëm. I dyti është – rrënim i Sallës Universale me zhvendosje dhe mbrojtje të hapësirës me konkursin i cili që po zhvillohet, dhe opsioni i tretë, që është opsioni im i preferuar, është restaurim i objektit ekzistues dhe ndërtim i një objekti të ri kulturor në lokacion tjetër, i cili do të përcaktohet në mënyrë shtesë. Unë jam i gatshëm, pasi t’i përpunojmë të gjitha opsionet, t’i vendosim në votim referendumi për qytetarët e Shkupit”, theksoi Petre Shilegov, kryetar i Shkupit.

Në lidhje me mundësinë për rinovim të objektit aktual Shilegov tha se ky nuk është opsion i mirë për shkak se kjo do të kushtonte rreth 17 milionë euro, para, të cilat qyteti nuk i ka në dispozicion. Tani për tani qyteti ka vetëm 500 mijë euro që mund të përdoren për konkurset. Deri në fund të vitit, tha ai, duhet të mbyllen të gjitha procedurat që të merrte përkrahje financiare nga Qeveria përmes disa viteve buxhetore.


“Fakti që ne kemi hyrë në investimet kapitale si qytet me Sallë universale është një lloj garanci se qeveria do ta mbështesë financimin në tërësi. Duhet ta zgjedhim modelin optimal me qëllim që të hyjmë në realizim të Sallës universale”, tha Shilegov.

Reaguan nga grupi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit prej ku thanë se premtimet për rikonstruim të Sallës Universale, Shilegov nuk i realizon.


“Shilegov vepron si person i dyfytyrshëm. Një ditë thotë se do ta ndërtojë Sallën universale, një ditë tjetër thotë se do ta rrënojë, ditën e tretë thotë se derdh lot krokodili për Sallën por prapë nuk ofron zgjidhje. E gjithë kjo është provë për paaftësinë e tij”, thonë Grupi i Këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së.

Objekti i Sallës universale është ndërtuar si simbol i solidaritetit pas tërmetit të vitit 63 me donacione të shumë vendeve. Në përdorim është lëshuar në janar 1966, por për shkak të gjendjes së tij të keqe, tashmë 5 vjet është jashtë funksionit.