Trençevska: Pensioni minimal s’mund të jetë 18.000 denarë, do të ngarkohet Fondi

TË FUNDIT

-Uroj të presim pensionet, të presim një pleqëri të bukur.

Kështu i uroi të moshuarit Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Tren­­çevka. Ndërsa para gazetarëve nuk dha shpresa për rritje lineare të pensioneve dhe rritjes së pensionit minimal, siç po kërkojnë pensionistët përmes protestave. Pensioni minimal nga shtatori do të jetë 13.300 denarë, njoftoi ajo.

“Këto ditë presim të marrim të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave dhe në bazë të këtyre të dhënave do të shohim se sa do të jetë rritja, është e mundur 6 % por, është e mundur edhe më shumë se 6%”, tha Jovanka Trençevska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Ajo pret që deri në fund të vitit të gjendet një zgjidhje e përshtatshme se si të përcaktohet pensioni minimal që do të ishte mbi pragun e varfërisë. Shton se kërkesa e pensionistëve për pension minimal prej 18.000 denarë është shumë joreale, sepse në shtet paga minimale është 20.000. Kjo mund të ngarkojë fondin pensional dhe pas disa muajsh të mos ketë para për të paguar pensionet e 330 mijë pensionistëve.

“Nuk na duhen masa populiste, të cilat do të bëjnë që për disa muaj të kënaqin kërkesat e të gjithë pensionistëve edhe të atyre me pensionin më të ulët, por në një afat më të gjatë do të thotë se do ta vendosim në pikëpyetje stabilitetin e fondit pensional”, deklaroi Jovanka Trençevska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Ndërkaq pensionistë nga i gjithë vendi dy ditë më parë protestuan në Shkup. Kërkesat kryesore janë pension minimal prej 18 mijë denarë dhe Qeveria t’ua rrisë pensionet në mënyrë lineare për 3.500 denarë.

“Tani lejoni të jetojmë të lirë, na jepni një pension minimal, nuk duhet më shumë, llogaritni nga paga mesatare. Si mundet që ju deputet, e opozitës e të pushtetit, për shtatë minuta të gjithë të votoni 78% e për ne nuk mund të gjeni kohë. Ju ftoj urgjentisht të mblidheni dhe të sillni ligj për pagë minimale, të jetojë edhe ai që kërkon nëpër kontejnerë. Është turp që një pensionist që ka punuar 40 vjet të kërkojë nëpër kontejnerë”, tha pensionisti.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të dorëzojë sot një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e rritjes lineare të pensioneve dhe bazuar në mendimin e marrë nga grupi i punës që do të formohet do të merren vendime specifike dhe politika. Shton se është e padrejtë të barazohen personat që kanë 15 vjet stazh pune dhe ata që kanë 40 vjet stazh.