“Po hetohet rasti”. Kjo është përgjigjjeja e vetme që mund të merret nga organet kompetente kur bëhet fjalë për vrasje. Ndërsa vrasësit gëzojnë lirinë. Kështu rezultojnë 6 vrasjet në muajin mars dhe prill. Së fundmi dje në ora 15 u vra 69 vjeçari nga Komuna e Sarajit në hyrje të fshatit Rashçe deri sa po e ngaste makinën e tij Golf 3. Ndërsa para katër ditëve u vra një fëmijë nëntëvjeçar bashkë me babain e tij në fshatin Sllupçan të Kumanovës. Eskperti i sigurisë Zllate Dimovski thotë se shërbimet policore duhet të angazhohen më tepër për t’i zbardhur rastet që qytetarët të fitojnë besimin tek instutucionet.
“Duhet të fitohet besimi në vetë shërbimet, në mënyrë që të rritet niveli i besimit, për t’i shmangur këto situata të tilla të konfliktit. Megjithatë, duhet që polica të jetë më e hapur me qytetarët dhe të punojë në parandalimin e këtyre konflikteve”, deklaroi eksperti i sigurisë, Zllate Dimovski.
Ministria e Brendshme thotë se për vitin 2019 nuk ka numër të saktë se sa persona janë vrarë. Por ka statistikë për vitin 2018. Gjithsej ka pasur 18 vrasje, prej të cilave vetëm një nuk është zbardhur.
“Në Shkup në vitin 2017 janë regjistruar 11 vrasje dhe në vitin 2018 u regjistruan gjashtë vrasje. Brenda aktiviteteve të saj, Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht ndjek masa për sekuestrimin e armëve nga personat që posedojnë pa lejen e duhur”, thonë nga MPB, për Tv21.
Vetëm në muajin e kaluar kanë ndodhur 3 vrasje, një në Shkup, Tetovë dhe Gostivar. Ndërsa këtë javë poashtu ndodhën tre vrasje, dy në Sllupçan dhe një në Rashçe.
Përgatiti: ARBANA Q KLIMENTA
