Më 6 prill Vasko Kovaçevski doli në konferencë për mediat dhe kumtoi se po dorëhiqet, ndërsa ditën e ardhshme u paraqit në prokurori pasi paraprakisht ka marrë ftesë për lëndën në fazë parahetimore që po udhëhiqet kundër tij, mëson TV21.
Për kallëzimin penal para tre viteve bëri të ditur ministri i atëhershëm për punët e brendshme.
“Është ushtruar trysni, respektivisht ryshfet me qëllim që një pjesë e marrëveshjes t’i lëshohet një kompanie tjetër nën-kontraktuese, e cila as nuk ka kapacitet, e as mekanizim dhe e cila është afër me Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë. Trysnia ka vazhduar, ku nga ana e drejtorit të TEC Manastirit, ishte kërkuar ryshfet prej 250 mijë eurove”, tha Naqe Çulev, ish ministër i Brendshëm 19.06.2020
Kjo u përputh me fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e atëhershme parlamentare, ndërsa Kovaçevski tha se i hedh poshtë të gjitha informacionet si të pasakta duke paralajmëruar se do të dorëzojë padi penale kundër tij.
“Kur Naqe Çulev dëshiron të kërkojë krim, e porosis të merret me kohën e qeverisjes së Hristijan Mickoskit, si drejtor i ASH ELEM, tash EMV dhe t’i hetojë tenderët për furnizim dhe import të energjisë elektrike me çmime tejet të larta. Për deklaratën e këtillë të sotme, nga unë le të presë padi penale kundër tij personalisht”, pohoi Vasko Kovaçevski, ish-drejtor i TEC Manastir 19.06.2020.
Nga Prokuroria nuk zbulojnë më shumë detaje.
“Lënda për të cilën interesoheni është formuar në vitin 2020 në lidhje me tenderin për gërryerje të lëndës së parë minerale në TEC Manastir ndërsa në lidhje me këtë vepron prokuror publik në procedurë parahetimore. Duke marrë parasysh fshehtësinë e procedurës parahetimore për momentin nuk mund të tregojmë detaje”, thonë nga Prokuroria.
Vasko Kovaçevski sot nuk iu përgjigj pyetjeve tona. Mbetet e paqartë në çfarë cilësie i njëjti u thirr në prokurorinë publike.
Vasko Kovaçevski u emërua drejtor i EMV-së më 17 korrik 2019, paraprakisht ishte drejtor i TEC Manastirit. Në vendin e tij erdhi Vasko Stefanov i cili vjen nga pozita e drejtorit të Postës së Maqedonisë.
