Tre vjet nga vdekja e Fadil Vokrrit

TË FUNDIT

Sot mbushen tre vjet që kur është ndarë nga jeta legjenda shqiptare e futbollit, Fadil Vokrri.

Ai ka qenë njëri nga futbollistët më të mirë shqiptarë dhe më i merituari për formimin e Përfaqësueses së Kosovës në futboll dhe pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA në vitin 2016.

Fadil Vokrri ka qenë kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës në atë kohë dhe menjëherë pas votimit ishte shprehur shumë i emocionuar nga kjo arritje.

“Jam shumë i prekur. Ju falënderoj para së gjithash në emër të lojtarëve të rinj të vendit tim për këtë vendim. Kjo është një ditë historike për ne”, kishte thënë Vokrri, pasi 28 anëtare të UEFA-s kishin votuar pro, 24 kundër, ndërsa dy vota kishin qenë të pavlefshme.

Fadil Vokrri ka lindur me 23 korrik të vitit 1960 në fshatin Sfeçël të komunës së Podujevës. Ai njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar”, i cili kishte një karrierë mjaft të bujshme.

Në vitet ’80 Fadil Vokrri kishte arritur kulmin e karrierës se tij. Ai e kishte filluar karrierën si futobollist me KF Llapin e Podujevës dhe më vonë kishte kaluar te KF Prishtin, ku kishte luajtur për një periudhë edhe me KF Partizanin e Beogradit.

Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus kishte qenë i interesuar për Vokrrin dhe i kishte propozuar nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak legjenda e futbollit kosovar kishte luajtur për KF Partizanin e Beogradit.

Në atë kohë, Fadil Vokrrit iu kishte propozuar të luante edhe për Dinamon e Zagrebit. Fadil Vokrri kishte luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ku kishte shënuar 5 gola. Vokrri kishte luajtur për një periudhë kohore për NIM, Francë. Në vitet 1990-1992, legjenda e futbollit kosovar kishte luajtur për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe kishte korrur shumë suksese për këtë ekip. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai ishte vendosur me banim në Francë, ku ishte bërë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë. Pas një kohe të suksesshme atje, legjenda e futbollit ishte kthyer në Kosovë dhe ka jetuar në Prishtinë.

Fadil Vokrri ka vdekur më 9 qershor të vitit 2018, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në moshën 57 vjeçare.