Nga 1 korriku, në listën pozitive të barnave janë përfshirë tre ilaçe të reja kundër mpiksjes së gjakut – enoksaparina, nadroparina dhe rivaroksabani. Këto barna tani janë të disponueshme në farmaci dhe do të merren me udhëzim specialisti duke paguar vetëm participimin, njoftoi drejtori i Fondit Shëndetësor Sasho Klekovski.
“Për enoksaparinën janë në dispozicion dy marka, për nadroparinën është në dispozicion një markë, ndërsa për rivaroksabanin në fazën fillestare do të jetë në dispozicion një markë. Çfarë do të thotë kjo? Dy antikoagulantët e parë deri tani ishin të disponueshëm me rimbursim. Tani e tutje do të jenë në listën pozitive dhe do të jepen me recetë nga një mjek specialist. Këta dy antikoagulantë kushtonin nga 1.100 deri në 2.700 denarë, në varësi të dozës dhe sasisë së terapisë. Tani pacientët do t’i marrin vetëm me një bashkëpagesë prej 160 deri në 240 denarësh”, theksoi Sasho Klekovski – drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Klekovski tha se është tepruar përdorimi i Kleksanëve kundër mpiksjes së gjakut dhe se duhet bërë kujdes në dhënien e antikoagulantëve.
“Ka një përdorim disi të tepruar të barnave dhe kjo do të duhet të vendoset në një kornizë më të rreptë, duke përcaktuar qartë indikacionet sipas të cilave ato mund të përshkruhen. Megjithatë, vendimin përfundimtar, bazuar në indikacionet mjekësore, e merr mjeku specialist. Mjeku specialist vendos nëse ilaçi do të përshkruhet apo jo. Sa i përket enoksaparinës dhe nadroparinës, ato do të vazhdojnë të jenë të disponueshme për trajtim spitalor, pasi janë barna që përdoren në kushte spitalore. Tani ato do të përdoren edhe si vazhdim i trajtimit spitalor, pra në kushte shtëpie”, u shpreh theksoi Sasho Klekovski – drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Këto barna ishin paralajmëruar që vitin e kaluar se do të përfshiheshin në listën pozitive deri më 1 janar 2026, por shtyrja e këtij procesi sipas Klekovskit ndodhi për arsye administrative.
