TRE DITË PAS AKSIDENTIT, NORMALIZOHET KOMUNIKACIONI HEKURUDHOR NË KORRIDORIN 10

TË FUNDIT

Komunikacioni hekurudhor në Korridorin 10 në relacion Shkup-Kumanovë(Tabanoc) është normalizuar në të dyja drejtimet, bëjnë me dije nga NP Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut.

“Ekipet e Ndërmarrjes Publike për infrastrukturë hekurudhore, Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut, pas largimit të vagonëve nga binarët me të gjithë mekanizmat e veta dhe të gjitha resurset, deri në orët e para të mëngjesit kanë punuar në rregullimin e binarëve me çka kjo pjesë e hekurudhës është e gatshme për komunikacion”, thuhet në kumtesën e ndërmarrjes.

Prej atje shtojnë se me këtë është mundësuar zhvillim i pandërprerë i komunikacionit hekurudhor në Korridorin 10, gjegjësisht në relacionin Shkup-Kumanovë(Tabanoc) në të dyja drejtimet. Komunikacioni në këtë aks ishte ndërprerë për shkak të aksidentit që ndodhi më 3 korrik, kur një tren transportues doli nga binarët.