Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp deklaroi se liderët e Kosovës dhe të Serbisë u përqafuan në Shtëpinë e Bardhë dhe se ishte e mrekullueshme t’i shihje ata në atë situatë, kur arritën marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
Në tubimin parazgjedhor në Pensilvani, Tramp përsëri foli për ndërmjetësimin e tij midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe midis Izraelit dhe vendeve arabe, duke theksuar para votuesve se ai sjell paqe në palët në konflikt dhe i kritikoi mediat kryesore të SHBA-së se nuk raportojnë për këtë.
“Kosova dhe Serbia e janë vrarë me njëri-tjetrin për shumë vite, ata vetëm vriteshin me njëri-tjetrin, nuk e duan njëri-tjetrin, si izraelitët dhe palestinezët. Ne bëjmë tregti me të dyja palët, kështu që kemi një fuqi të caktuar. Unë u thashë atyre, le të bëjmë një marrëveshje dhe të krijojmë paqe ekonomike dhe paqe në përgjithësi. Erdhën në zyrën time për të nënshkruar. Ata u përqafuan, ishte e mrekullueshme t’i shihja. Ne kemi shpëtuar shumë jetë”, tha Tramp mbrëmë.
Javën e kaluar, në një tubim parazgjedhor në Karolinën e Veriut, Tramp gjithashtu, tha se e meritonte Çmimin Nobel për Paqe sepse arriti të ndalojë “vrasje masive midis Kosovës dhe Serbisë”.
“Jam i sigurt se e ardhshmja është Çmimi Nobel për Paqe. Ne i ndalojmë vrasjet masive midis Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë vrarë njëri-tjetrin për kaq vite. Ata do të ndalojnë së vrari njëri-tjetrin. E dini, ata e kanë bërë atë për qindra vjet, megjithëse nën emra të ndryshëm”, tha Tramp dhjetë ditë më parë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti më 4 shtatori, në Shtëpinë e Bardhë, u angazhuan se do t’i normalizojnë marrëdhëniet ekonomike. ls/shk/
