Presidenti në largim i SHBA-së, Donald Tramp natën e kaluar, pas votimit të revokimit në Dhomën e Përfaqësuesve, përsëri e dënoi dhunën e javës së kaluar në Kapitoll dhe tha se të gjithë ata që morën pjesë në trazira do të sillen para drejtësisë.
Tramp, llogaritë e të cilit janë bllokuar në të gjitha rrjetet kryesore sociale, u drejtua përmes një video mesazhi në llogarinë e Shtëpisë së Bardhë në Tuiter dhe në fjalimin e tij asnjë herë nuk e përmendi vendimin e Dhomës së Përfaqësuesve për revokimin e tij.
“Dua të jem i qartë: e dënoj pa mëdyshje dhunën që pamë javën e kaluar”, tha Tramp, duke theksuar se dhuna e tillë është në kundërshtim me gjithçka që ai beson.
“Asnjë nga mbështetësit e mi të vërtetë nuk mund të mbështesë kurrë dhunën politike. Askush nga mbështetësit e mi të vërtetë nuk mund të mos respektojë zbatimin e ligjit ose flamurin tonë të madh amerikan”, tha Tramp në një fjalim pesë-minutësh.
“Nëse bëni ndonjë nga këto gjëra, ju nuk e mbështesni lëvizjen tonë, ju e sulmoni vendin tonë. Nuk mund ta tolerojmë këtë”, tha ai, duke bërë thirrje për qetësi.
“Dhuna duhet të ndalet”, shtoi ai, duke theksuar se kishte shumë dhunë, trazira dhe shkelje të ligjit vitin e kaluar.
Pavarësisht nëse jeni të djathtë apo të majtë, demokrat apo republikan, nuk ka asnjë justifikim për dhunën. Nuk ka justifikime. Nuk ka përjashtime. Amerika është një shtet i qeverisur nga ligji. Ata që morën pjesë në sulmet e javës së kaluar do të sillen para drejtësisë, tha presidenti amerikan.
Tramp gjithashtu tha se është informuar nga shërbimet sekrete se trazira të reja janë të mundshme në ditët në vijim.
Ai përsëriti se kishte udhëzuar agjentët federalë të vendosnin të gjitha burimet për të rivendosur rendin dhe që Garda kombëtare ishte vendosur në Uashington për të siguruar qytetin dhe për të siguruar që transferimi i pushtetit të jetë paqësor dhe pa incidente.
Ai thotë se çdo amerikan ka të drejtë ta dëgjojë zërin e tij, por që duhet ta bëjë këtë me respekt dhe në paqe.
Në fund të fjalimit të tij, ai bëri thirrje për unitetin e kombit.
“Ne duhet të përqendrohemi në përparimin e të gjithë kombit, shpërndarjen e vaksinave të mrekullueshme, fitoren mbi pandeminë, rindërtimin e ekonomisë, mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe sundimin e ligjit”, tha Tramp në fjalimin e tij nga Shtëpia e Bardhë në Tuiter.
