Arsimtarët e shkollave të mesme dhe fillore do të trajnohen se si të ligjërojnë me plan programe të reja në lëndën e biznesit, sipërmarrjes dhe inovacioneve. Ky është projekti i ri që u prezantua në Shkup, dhe që do të realizohet me ndihmën e trajnuesve nga universiteti i Uellsit.
Profesori nga universiteti “Sent Dejvid” nga Uellsi, thotë se Maqedonia është vendi i parë që lëndën e biznesit dhe inovacioneve e ka përfshirë në procesin mësimor në shkollat fillore dhe të mesme.
“Në këtë proces të gjithë sytë do të jenë të kthyera kah Republika e Maqedonisë pasi që është vendi i vetëm që ka pranuar këtë në shkollat fillore dhe të mesme. Kreativiteti nuk është i mjaftueshëm, të kuptohet biznesi, të kuptohet se si fillohet dhe zhvillohen bizneset e reja është shumë e rëndësishme”, thotë Endi Penaluna, profesor universitar.
Në ndërkohë, profesoresha Dashurie Mehmedi thotë se 12 vite ligjëron biznes dhe sipërmarrje në gjimnazin e Gostivarit dhe se nxënësit janë shumë kreativë. Por ajo thotë se mungojnë mjetet elementare për realizimin e praktikës.
“Sivjet ka ndryshim në plan program dhe qëllimi është që të ndiqen trendet botërore. Kushtet nuk i kemi aq të mira për ta ndjek procesin arsimor në shkollë. Mirëpo nxënësit kanë ide, dhe duke i ndarë në grupe punuese mundohemi që të nxjerrim ide. Dhe idetë e tilla sipërmarrëse dhe kreative të cilat në të ardhmen me siguri do ti aplikojnë në praktikë”, thotë Dashurie Mehmedi
Zëvendës ministri i Arsimit, Spiro Ristovski thotë se do të vazhdojnë ta përkrahin këto trajnime pasi që janë të rëndësishme për nxënësit dhe arsimin.
“Për neve është një hap i rëndësishëm, për të gjithë aktivitetet që i kemi realizuar gjatë kësaj periudhe. Të gjitha janë me rëndësi të madhe për arsimtarët por para se gjithash për nxënësit të cilët do ta mirëpresin kohën e re, që me rëndësi të madhe kanë inovacionet, sipërmarrësia dhe biznesi”.
Akademiku, Taki Fiti si drejtues i Qendrës rajonale për zhvillim të inovacioneve dhe mësimit të sipërmarrësisë tha se ky projekt është vështirë të realizohet posaçërisht në shkollat fillore. Ai megjithatë porositi profesorët që të përkushtohen që teorinë ta zbatojnë në praktikë.
