Trajneri i Polonisë, Fernando Santos ka dalë në një konferencë për shtyp duke komentuar në funksion të ndeshjes me Shqipërinë. Trajneri i polakëve ndër të tjera ka theksuar se në fushë do të zbresin dy skuadra që do të mendojnë vetëm për fitoren
“Atmosfera brenda këtij ekipi ka qenë gjithmonë shumë, shumë e mirë. E kam thënë shumë herë dhe do të vazhdoj ta them. Është shumë e rëndësishme për mua që lojtarët të fokusohen vetëm te ndeshja me Shqipërinë dhe të mos e mendojnë për ndeshjen e kaluar, atë ndaj Ishujve Faroe. Ata duhet të kuptojnë planin për këtë lojë dhe sa e rëndësishme është kjo lojë”, ka pranuar trajneri i Kombëtares polake.
“Ndeshja ndaj Ishujve Faroe nuk do të ketë absolutisht asnjë lidhje me ndeshjen ndaj Shqipërisë. Shqiptarët definitivisht nuk do të luajnë me 11 lojtarë prapa, duke u mbyllur në zonën e tyre të penalltisë. Duhet të bëjmë gjëra krejtësisht të ndryshme që të futemi në portën e kundërshtarit, të shënojmë gola dhe të mos pësojmë”, shtoi ai.
Në gjysmë të rrugës së kualifikueseve për në Kampionatin Evropian 2024, Polonia është një pikë prapa Shqipërisë. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në muajin mars, bardhekuqtë dolën në krye. Santos, megjithatë, vlerëson klasin e rivalit të tij.
“Do të luajmë kundër një skuadre shumë cilësore. Si trajner i Portugalisë, luajta kundër Shqipërisë në 2016 dhe pashë se sa ishin përmirësuar. Ata janë shumë të organizuar dhe të fortë taktikisht. Ata mund të mbrojnë dhe sulmojnë, kështu që ne jemi të vetëdijshëm se do të jenë dy skuadra në fushë që mendojnë vetëm për fitoren”, vuri në dukje ai.
Trajneri portugez e mbylli konferencën me një apel për tifozët dhe gazetarët. “Do të doja t’i kërkoja të gjithëve që nesër të jenë me ekipin tonë dhe të mbajnë gishtat e kryqëzuar për secilin prej nesh. Nëse doni të kritikoni dikë, më kritikoni mua, sepse jam mësuar prej shumë vitesh. Dua të falënderoj lojtarët që stërvitën dhe punojnë shumë dhe dëshirojnë më të mirën për këtë ekip”.
“Unë do të doja vetëm t’ju kërkoja të mbështesni lojtarët. Për ta ndihmuar këtë skuadër të kalojë në Kampionatin Evropian të vitit 2024. Nëse doni të goditni dikë, më goditni mua, por mbështesni kombëtaren”.
