Dua Lipa dhe Samsung po përballen në gjykatë, pasi gjiganti teknologjik ka kërkuar rrëzimin e padisë së këngëtares, e cila kërkon të paktën 15 milionë dollarë dëmshpërblim.
Lipa e kishte paditur Samsungun në maj, duke e akuzuar se kishte përdorur pa leje një fotografi të saj në paketimin e televizorëve të kompanisë të shitur në SHBA.
Në dokumentet e reja të dorëzuara në gjykatë, avokatët e Samsung argumentojnë se përdorimi i fotografisë nuk krijonte përshtypjen se Lipa kishte miratuar ose promovuar produktet e kompanisë.
Sipas Samsungut, fotografia ishte pjesë e përmbajtjes së disponueshme përmes shërbimit Samsung TV Plus dhe ishte përdorur në paketim vetëm për të ilustruar përmbajtjen që mund të gjendej në televizor.
Padia lidhet me një fotografi të realizuar backstage në festivalin Austin City Limits në vitin 2024. Sipas ekipit ligjor të Lipës, ajo zotëron të drejtat mbi imazhin dhe nuk kishte dhënë leje për përdorimin e tij në promovimin e produkteve të Samsungut.
Avokatët e këngëtares pretendojnë se fotografia në pjesën e jashtme të kutive mund të krijonte përshtypjen e rreme se Lipa kishte një marrëdhënie komerciale me kompaninë.
Samsung, ndërkohë, thotë se fotografia ishte siguruar nga një partner i jashtëm i përmbajtjes, i cili kishte garantuar se ishin marrë të gjitha lejet e nevojshme. Kompania ka mohuar çdo qëllim për përdorim të paligjshëm të imazhit dhe ka thënë se mbetet e hapur për një zgjidhje me ekipin e këngëtares.
Kërkesa e Samsungut për rrëzimin e padisë nuk nënkupton se çështja është mbyllur. Vendimi tani i takon gjykatës, e cila do të përcaktojë nëse pretendimet e Dua Lipës do të vazhdojnë të shqyrtohen.
