Hetimet për zjarrin vdekjeprurës në lokalin “Le Constellation” në Crans-Montana po thellohen. Katër javë pas ngjarjes tragjike, Prokuroria e kantonit Valais ka ngritur akuza edhe ndaj dy personave të tjerë, përveç çiftit Moretti, që drejtonte lokalin.
Sipas mediave zvicerane, procedura penale është hapur fillimisht ndaj një ish-përgjegjësi të sigurisë në komunë, i cili kishte kryer kontrolle kundër zjarrit në ambientet e barit. Hetimi synon të sqarojë nëse ka pasur përgjegjësi penale për mangësitë në mbikëqyrjen e ambienteve publike.
Më pas, nën akuzë është vënë edhe shefi aktual i shërbimit të sigurisë publike në komunën e Crans-Montana, i cili pritet të shpjegojë pse nuk janë kryer kontrolle në lokal që nga viti 2019, ndonëse ato duhet të realizohen çdo vit.
Sipas RTS, ish-përgjegjësi i sigurisë do të merret në pyetje më 9 shkurt, ndërsa shefi aktual i shërbimit të sigurisë më 6 shkurt. Me këto zhvillime, numri i të akuzuarve në këtë çështje shkon në katër.
Në mesin e tyre janë edhe Jacques dhe Jessica Moretti, drejtues të barit që nga viti 2015. Jacques Moretti ishte ndaluar përkohësisht, por u lirua më 23 janar, pasi u pagua një garanci prej 200 mijë frangash zvicerane.
Zjarri, që shpërtheu natën e Vitit të Ri, la pas 40 viktima dhe 116 të plagosur, prej të cilëve 20 ishin minorenë. Hetimet vijojnë për të zbardhur përgjegjësitë për një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit në Zvicër.
