Tragjedi në Indonezi, së paku 16 të vdekur nga rrokullisja e një autobusi

TË FUNDIT

Të paktën 16 persona humbën jetën si pasojë e rrokullisjes së një autobusi me udhëtarë në ishullin indonezian Java, njoftuan sot autoritetet lokale.

Sipas shefit të Agjencisë për Kërkim dhe Shpëtim, shoferi i autobusit, në të cilin ndodheshin 34 pasagjerë, humbi kontrollin mbi mjetin, u përplas me një gardh betoni dhe më pas autobusi u rrokullis.

Autobusi ishte nisur nga kryeqyteti Xhakarta drejt qytetit historik Jogjakarta, ndërsa aksidenti ndodhi në afërsi të qytetit Semarang, në Javën Qendrore.

Policia dhe ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje rreth 40 minuta pas aksidentit, ku gjetën trupat e gjashtë pasagjerëve që kishin humbur jetën në vend. Dhjetë persona të tjerë ndërruan jetë gjatë transportit drejt spitalit ose gjatë marrjes së ndihmës mjekësore.

Nga 18 të plagosurit që u dërguan në dy spitale aty pranë, pesë janë në gjendje kritike, ndërsa 13 në gjendje të rëndë.

Dëshmitarët kanë deklaruar se autobusi po lëvizte me shpejtësi të madhe para se shoferi të humbte kontrollin e automjetit, bëri të ditur shefi i policisë së Javës Qendrore, Ribut Hari Vibovo. Ai shtoi se shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim.