Toshkovski: Uji në Gostivar ende nuk mund të përdoret për pije ose përgatitje të ushqimit!

TË FUNDIT

Uji në Gostivar mund të përdoret për qëllime teknike, por jo për përgatitjen e ushqimit. Do të vazhdojë furnizimi me ujë të ambalazhuar, njoftoi sot në një konferencë për media ministri i Punëve të Brendshme dhe kryetar i Komitetit Drejtues për koordinimin dhe menaxhimin e sistemit të krizave, Pançe Toshkovski, përcjell TV21. Sipas tij, ende nuk ka konfirmim nga matjet se uji mund të përdoret për pije, e as për përgatitjen e ushqimit.

“Pas disa analizave të ujit kemi marrë konfirmim nga ekspertët se, sipas rezultateve të testeve të kryera, uji mund të përdoret si ujë teknik. Por, dua ta përsëris, ende nuk mund të përdoret si ujë për pije apo për përgatitjen e ushqimit”, theksoi Toshkovski.

Ai bëri të ditur se furnizimi me ujë të ambalazhuar për qytetarët do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

“Jemi në koordinim me komunën për të gjitha masat që duhet të ndërmerren më tej. Dua të shpreh falënderim të madh për qytetarët e Gostivarit për mirëkuptimin e tyre, si dhe për të gjithë ekspertët dhe personat e angazhuar në terren. Ata kanë ndërmarrë të gjitha aktivitetet profesionale, përfshirë hiperklorimin dhe vendosjen e pajisjeve, që të arrijmë në këtë fazë – përdorimin e ujit teknik. Shpresojmë që së shpejti ta informojmë opinionin se kur uji do të jetë sërish i sigurt për pije”, tha Toshkovski.

Ai gjithashtu u bëri apel drejtorëve të ndërmarrjeve publike dhe të gjithë personave që kanë lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me cilësinë e ujit, që shëndeti dhe siguria e qytetarëve të jenë prioritet absolut.

“Çdo person përgjegjës duhet t’i kryejë detyrat e tij sipas ligjit me përkushtim maksimal, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurimin e ujit cilësor për pije. U bëj thirrje të gjithë përgjegjësve në komunat e Maqedonisë së Veriut që kjo situatë të shërbejë si mësim dhe në të ardhmen të veprojnë në mënyrë sa më profesionale dhe në kuadër të kompetencave të tyre ligjore për kontrollin e cilësisë së ujit”, tha Toshkovski.

Ai shtoi se “me shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve nuk ka lojë”, duke theksuar se çdo përgjegjësi që lidhet me ujin, qoftë teknik apo për pije, duhet të trajtohet me seriozitet maksimal.