Tortevski: Është kohë për procedura, Taseva: Rastet si Raskovski kanë nevojë për shumë vëmendje

TË FUNDIT

Është mirë që Prokuroria Publike Themelore ka vendosur të ngrisë procedurë lidhur me rastin për furnizim të softuerit për “përcaktim të shpejtësisë mesatare të makinave pjesëmarrëse në komunikacion dhe shqiptim të gjobave”, autori i të cilit është Dragi Rashkovski, tha Sllagjana Taseva nga “Transparensi Interneshënall” në emisionin “Klik Plus”. Rasteve, siç ishte me ish-sekretarin gjeneral të Qeverisë, duhet t’u kushtohet vëmendje më të madhe, porositi ajo.

“Të gjitha atyre ndodhive që duhet trajtuar nga aspekti i ngjarjes penalo-juridike duhet t’u kushtohet vëmendje më të madhe, të ceket se ekziston ndonjë dyshim, i cili parimisht mund të jetë vetëm dyshim, kurse pastaj të ngrihet në nivel më të lartë, me qëllim që të vlerësohet nëse do të hapet procedurë”, deklaroi Taseva.

Është kohë që organet tona zyrtare të hapin procedurë, konsideron avokati Aleksandar Tortevski. Sipas tij, rasti me softuerin është indikacion serioz që Prokuroria Publike Themelore të hapë një procedurë. Por, ai rikujton se një nga obligimet e mediave është që t’i ndjekë rastet e tilla, kurse gazetaria hulumtuese, siç shton, është faktor serioz në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në të gjithë botën.

“Nëse shtohet edhe fakti se autor i këtij softueri është Dragi Rashkovski, i cili më vonë ka arritur t’ia shesë MPB-së, respektivisht ta blejë për nevojat e MBP-së, kurse prej atje thonë se nuk kanë nevojë për të, atëherë kjo është indikacion serioz që PPTH-ja të hapë procedurë dhe është mirë që e hap sipas informacioneve që qarkullojnë në opinionin publik”, vlerësoi Tortevski.

Anëtarët e Komisionit Antikorrupsion do ta hetojnë furnizimin e softuerit për matje të shpejtësisë mesatare të makinave dhe shqiptim të gjobave, të cilin në shkurt të vitit të kaluar e ka blerë Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë i udhëhequr nga Dragi Rashkovski. MBP-ja nuk është në dijeni me këtë furnizim dhe nuk planifikon ta përdorë. Rashkovski demanton se ka patentuar softuer për ndjekje të shkeljeve në trafik, të cilin pastaj e ka blerë Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, duke shtuar se këtë e ka prezantuar vetëm si ide. Lëndë për këtë rast hapi edhe Prokuroria.